Presidenti i Ukrainës premton një shpërblim monetar për të gjithë ata që vaksinohen

Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se çdo ukrainas që merr dy doza të vaksinës kundër Covid-19 do t'i paguhet një shpërblim monetar në mënyrë që të inkurajojë bashkatdhetarët e tij, kryesisht dyshues për vaksinën, të vaksinohen.

“Kushdo që merr dy doza do të marrë 1000 hryvnia”, ose rreth 35 euro, që është një shumë jo e papërfillshme në atë vend, i cili është ndër më të varfërit në Evropë, tha Zelenski në një video-mesazh, ndërsa më pak se një e treta e popullsisë është vaksinuar deri më sot.

Të vaksinuarit do të mund ta shpenzojnë atë shumë për të marrë me qira një sallë rekreacioni, kinema, teatër, muze ose në një biletë treni dhe avioni brenda vendit, shtoi ai.

“Është mbështetje për industritë që kanë pësuar më shumë për shkak të mbylljes”, tha Zelenski.

Shteti do të ndajë 200 milionë euro në muajt në vijim për këtë program që fillon më 19 dhjetor, shtoi ai.

Me 442 vdekje për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit, ish-republika sovjetike me një sistem të dobët shëndetësor publik ishte e dyta më vdekjeprurëse në botë të hënën, pas Rusisë (1211).

Ky vend me rreth 40 milionë banorë po lufton prej javësh me valën më të keqe të koronavirusit, ku mbizotëron lloji delta dhe mosbesimin e publikut ndaj vaksinave.

Vaksinimi u përshpejtua në tetor nën presionin e autoriteteve, të cilët vendosën kufizime për të pavaksinuarit, si detyrimi për të treguar një leje shëndetësore për të hyrë në disa vende publike.

Por deri më sot, vetëm 28 përqind e ukrainasve kanë marrë dy doza, tha të hënën ministria e shëndetësisë.

"Kulmi i valës (pandemisë) ka kaluar," tha Zelenski të hënën, duke përmendur rënien e javës së kaluar të numrit të të infektuarve rishtazi me gjashtë për qind dhe shtrimet në spital me 13 për qind krahasuar me shtatë ditët e mëparshme.

Ukraina raportoi 3.2 milionë të infektuar dhe më shumë se 77,000 të vdekur.