Përkujtohet masakra komuniste e Tiranës më 1944

U përkujtua në ambjentet e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit masakra komuniste e Tiranës, një ngjarje e ndodhur në vitin 1944. Sipas historianëve dhe dëshmive të kohës, kur komunistët hynë në kryeqytet në nëtor të vitit 1944 ata nuk kursyen dhjetra intelektualë dhe personalitete duke i pushkatuar dhe masakruar çnjerëzisht. Drejtuesit e institutit, ligjvënës të parlamentit shqiptarë dhe familjarë të personave të vrarë në këto ngjarje vunë kurora me lule në pllakatën përkujtimore. Historiani Çelo Hoxha thotë se ishte me vend që sot të publikohej edhe një document interesant që ka lidhje të drejtpërdrejt me këtë masakër. 

Familjarët e viktimave të masakrës së Tiranës kërkuan që kjo ngjarje të mos mbahet më e fshehur, por të publikohet masivisht në media si dhe të pasqyrohet në tekstet shkollore dhe historike. Sipari i kësaj masakre hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranë, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre.
Sipas dëshmive të kohës në këtë periudhë janë vrarë të paktën 100 persona.