Zevzek-zuzarët e institucioneve

Nga Klodian Tomorri

Ti mund të kesh 30 vjet që qarkullon me automjet. Ndoshta dhe më shumë. Por kur tëë vijë koha për të rinovuar patentën, do të të marrin në provim. Një nëpunës i DPSHTRR-së do qëndrojë përballë teje si aga dhe do të të marrë në pyetje. Me pak fjalë provim për herë të dytë për patentën. Një hallke burokratike më shumë, një zgavër korrupsioni më tepër.

Sigurisht që këta e kanë gati justifikimin se pse u shtojnë hallet njerëzve. Gjithmonë e bëjnë për interesin publik, për të ulur numrin e aksidenteve në rrugë etj, etj. Por një pyetje lind natyrshëm. Mbi bazën e cilit studim e vendosi Drejtoria e Transportit Rrugor këtë masë?

A mund të thotë DPSHTRR-ja se sa aksidente ndodhin për shkak se drejtuesit e automjeteve nuk njohin sinjalistikën apo bazën teorike? Sa aksidente ndodhin për shkak të pakujdesisë? Sa për shkak të alkoolit? Dhe sa për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit me qëllim, pra jo nga mosnjohja? Ata nuk e dinë, por sërish duan të shtojnë hallka burokratike mbi qytetarët.

Tani, meqë DPSHTRR-ja digjet për interesin publik dhe për hallet e popullit, lind edhe një pyetje tjetër. Po atë koncesionin e bazës së të dhënave të kolaudimit për çfarë e propozoni çdo vit në buxhet? Për çfarë ngulmon aq shume DPSHTRR-ja për ta kaluar atë koncesion? Cili është motivi që DPSHTRR do t'u ngarkojë qytetarëve një faturë 165 milionë euro për t'ia kaluar një privati? Apo dhe këtë e bën për interesin publik? 

Ky vend ka parë nga të gjitha sojet dhe takëmet e ofiqarëve. Ka parë nga ata që vjedhin, ka parë nga ata që i nxijnë jetën me masa idiote. Por ka dhe nga këta që edhe të vjedhin, edhe të nxijnë jetën. Këta jaëe zevzek-zuzarët.