VIDEO- KAFE SHQETO/ Kraja: Basha është pranë fazës së pranimit

Zhvillimet dramatike që ndodhën në PD mbrëmjen e së hënës dhe që kulmuan me një vendim surprizë të Kryetarit Lulzim Basha, qenkan në fakt të shpjeguara edhe shkencërisht, përveç politikisht.

Akil Kraja, Master i Shkencave, po njëherësh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, duket se e priste shpalljen nga Basha të Kuvendit Kombëtar, sepse për të është shumë e njohur Teoria e 5 Shkallëve të Dhimbjes: mohimi, revoltimi, depresioni, negociata dhe në fund … pranimi.

Po fakti që Basha nuk e ka pranuar datën që kanë kërkuar 4200 firmëtarët që mbështesin ish-Kryetarin Sali Berisha dhe nismën “Foltorja”, si shpjegohet atëherë?!

Edhe këtë e shpjegoi Akil Kraja sot në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV.

Kafe Shqeto: Z. Kraja, si do ta komentonit situatën dramatike në PD në këto orë kaq të vështira?

Akil Kraja: Po e mendoja me sinqeritet dhe fjala juaj e fundit “dramatike” më ndihmoi. Në shkencat sociale njihen gjerësisht ato Pesë Shkallët e Dhimbjes, një teori që praktikohet shumë në shkencat ekonomike të menaxhimit në momentin kur një kompani a organizatë kalon në një seri transformimesh madhore të cilat hasin rezistencë nga punonjësit, sindikatat apo aktorët e tjerë. Dhe fjala është “dramatike” sepse ajo ka 5 shkallë: Fillon me Mohimin, kalon në Revoltimin, pastaj në Depresionin, Negociatat dhe në fund është Pranimi. Kjo është shumë e njohur si teori. Faktikisht, vendimi i djeshëm i Kryesisë së Partisë Demokratike, mund të duket si një akt dramatik, po në fakt është momenti le ta quajmë para fundit të Pranimit. U pranua se ka një Kuvend Kombëtar, ka një nevojë.

U pranua se projekti i Foltores, ajo që Foltorja përfaqëson, kjo valë e gjatë, mbi 15 takime anembanë vendit për të dialoguar mbi opozitën, mbi nevojat e fermerëve në protestë, mbi të rinjtë shqiptarë që po largohen, taksat që po rriten, mbi Borxhin Publik që po shkon në nivele stratosferike, pra ky projekt, nevoja për të folur, për të ridimensionuar projektin e opozitës, u konkretizua.

Vetë Kryesia e PD dje e pranoi publikisht me një vendim mazhoritar (që do ta diskutojmë më pas këtë element). Por shumë e rëndësishme, edhe dramatike po, se është një proces transformimi dhe si çdo proces kalon në izolimin, pra e mohon; më pas kalon në një revoltim - me një artikulim të një fjalori shpeshherë agresiv; pastaj negociatat - u hodhën në treg reforma territoriale, reforma e vetingut, reforma zgjedhore dhe siç e shikoni nuk po flitet më për këto lloj reformash - dhe shkuam në pikën e katërt, që është po themi “negociata gultime”: “Kemi dhe në datën tonë të Kuvendit! Besoj se jemi gjithmonë brenda një force politike dhe në fund, më besoni do të jetë Pranimi!

Unë besoj se do të ketë 1 datë Kuvendi, 1 transformim, 1 Parti Demokratike e cila në fund do të dalë nga kjo stuhi e brendshme, që të ketë mundësi t’i shërbejë shqiptarëve.../ar.sh/SYRI.NET

Ndiqeni intervistën e plotë me z. Akil Kraja në “Kafe Shqeto”.