Jinping paralajmëron Bidenin për Tajvanin në samitin që zgjati mbi 3 orë: Kush luan me zjarrin, digjet

Gjatë samitit virtual të së hënës, presidenti kinez, Xi Jinping, e paralajmëroi homologun amerikan, Joe Biden, se Kina është e përgatitur që të marrë “masa vendimtare”, nëse Tajvani bën ndonjë lëvizje drejt pavarësisë që i kalon vijat e kuqe të Pekinit.

Xi gjithashtu e paralajmëroi shefin e Shtëpisë së Bardhë se çfarëdo përkrahje për pavarësinë e Tajvanit do të ishte “si të luash me zjarrin”, sipas përshkrimit të medieve shtetërore kineze për samitin, duke shtuar se “ata që luajnë me zjarrin do të digjen”.

Gjuha e përdorur nga presidenti kinez e paraqiti reotrikën nacionaliste kineze, me forcë shtesë nga fakti se u shpreh personalisht në bisedimet më të gjera deri më tani mes presidentëve të dy fuqive botërore.

Si kundërpërgjigje, Bideni tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuar ndaj politikës “një Kinë”, që e njeh sovranitetin e vetëm një shteti kinez, dhe se Uashingtoni “fuqishëm i kundërshton përpjekjet e njëanshme për ta ndryshuar status quo-në ose për t’i minuar paqen e stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”, shkruan The Guardian.

Kjo shprehje ishte përkujtim për Tajvanit që të mos e shpallë pavarësinë por edhe për Kinën që të mos e mendojë pushtimin e ishullit. Bideni i tha homologut kinez se të dyja vendet e kanë përgjegjësinë që të sigurohet që rivaliteti mes tyre të mos rrëshqasë në konflikt të hapur.

Video-konferenca mes dy presidentëve, e cila zgjati më shumë se tri orë e gjysmë, ishte diskutimi më thelbësor i tyre që nga ardhja në pushtet e Bidenit në janar dhe u mbajt në një kohë kur tensionet janë të larta për disa tema si Tajvani, liria e lundrimit në Detin e Kinës Jugore, trajtimi i pakicave nga Kina dhe sulmet kibernetike, për të cilat ShBA-ja e fajëson Kinën.