Prokurorët e SPAK: Duam mandat të përjetshëm, s’punojmë mirë me vetëm 9 vjet punë

Kur po mbushen tre vjet nga themelimi i strukturës së posaçme SPAK, prokurorët e kësaj njësie në muajin tetor 2021, kanë bërë një lëvizje të papritur, duke kërkuar unanimisht një mandat të pakufizueshëm.

Lëvizja vjen në një kohë kur SPAK, sipas sondazheve të kryera ka humbur ndjeshëm, besimin e publikut për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

“Ora Neës”, ka siguruar një dokument të nxjerrë nga zyrat e SPAK, ku kërkohet domosdoshmërisht që prokurorët e SPAK të mos kenë një mandat 9 vjeçar po mandati i tyre të jetë i përjetshëm.

Dokumenti mban datën 21 Tetor 2021 dhe ka si objekt dosmosdoshmërinë për disa përmirësime ligjore në funksion të rritjes së efikasitetit të punës së SPAK.

Sipas këtij dokumenti, prokurorët e SPAK pretendojnë se nuk mund të punojnë mjaftueshëm dhe të përfaqësojnë çështjet penale maksimalisht, për shkak se mandati i tyre i punës në SPAK, është i kufizuar për një periudhë 9 vjeçare.

Prokurorët argumentojnë më tej se ata mbrojnë akuzën penale në emër të shtetit deri në Gjykatën e Lartë, dhe për këtë gjë kërkojnë një mandat të pakufizuar, me qëllim për të punuar më shumë dhe për të mos qenë të kërcënuar nga elementë të krimit dhe politikës, pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

“Ora Neës”, disponon dokumentin e plotë, që drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, i ka dërguar në tetor 2021, Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit të Çështjeve Ligjore, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Misionit të Asistencës Ligjore EURALIUS, OPDAT dhe Ambasadës Amerikane.

Sipas dokumentit aktualisht në SPAK, ushtrojnë detyrën e prokurorit 15 prokurorë, ndërsa 28 janë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në pikën 1 të këtij dokumenti, prokurorët e SPAK, sqarojnë se ata kanë një mandate 9 vjeçar për të qenë pjesë e kësaj strukture. Ndërsa janë të pabarabartë, me Gjyqtarët e Posaçëm të SPAK dhe Gjyqtarët e Apelit të SPAK.

Kjo pasi sipas tyre, gjyqtarët e dy shkallëve të gjyqësorit të posaçëm kanë një mandat të pakufizueshëm për të shërbyer në gjykatë, ndërsa ata kanë vetëm 9 vjet kohë për të qenë pjesë e SPAK. Ky diferencim i bën ata të cenueshëm dhe demotivon në punën e tyre, pasi pas 9 vitesh karriera e tyre është e papërcaktuar dhe mund të shërbejë si periudhë kërcënimesh dhe presionesh nga segmente të politikës dhe krimit të organizuar. “…domosdoshmërisht për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mundet që një prokuror të kufizohet në kohë…”-thuhet në dokumentin e siguruar nga “Ora Neës”.

Mandej në këtë dokument nënvizohet se:”…eksperienca botërore ka treguar që krimi dhe korrupsioni nuk mund të zhduken, por duhet të luftohen nga segmente shtetërore në mënyrë të vazhdueshme dhe efikasitet gjithmonë në rritje…”.

Prokurorët e SPAK në letrën drejtuar institucioneve shqiptare dhe përfaqësive të misioneve të huaja në Shqipërisë, shtojnë se:”…shteti shqiptar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtare kanë investuar dhe po investojnë fuqishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe funksionale të prokurorëve të posaçëm. Në kushtet kur prokurorët e posaçëm kanë mandate të kufizuar, ky investim do të duhet të përsëritet me prokurorët e rinj, që do përzgjidhen pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Mendojmë që një zgjidhje e tillë ligjore me mandate të kufizuar në kohë, krijon kosto të mëdha dhe të pajustifikuara…”.

Nisur nga eksperienca e mëparshme apo ekzistuese me funksionet e një mandate të kufizuar, është konstatuar se vitet e fundit të ushtrimit të mandatit, prokurorët fillojnë dhe mendojnë për të gjetur zgjidhje të favorshme punësimi, pas mbarimit të mandatit. “…kjo gjë normalisht shoqërohet edhe me rënien e intensitetit dhe efikasitetit në punën që prokurorët bëjnë…”-thuhet në dokument.