Ka miratur ligjet më të guximshme të punës në botë: Pse të gjithë e admirojnë Portugalinë?

Portugalia kohët e fundit miratoi një ligj të punës që praktikisht u shpall në çast si më i guximshmi në botë.

 Vëmendjen e publikut e solli fillimisht ndalimi që punëdhënësit të kontaktojnë stafin e tyre jashtë orarit të punës të rënë dakord, por ligji i ri është shumë më tepër se kaq.

 

Sipas ligjit të ri, punëdhënësit mund të penalizohen nëse kontaktojnë stafin jashtë orarit të rregullt të punës, përveç rasteve urgjente. 

Ligji gjithashtu kërkon që kompanitë të sigurojnë që njerëzit që punojnë në distancë të shkojnë në punët e tyre një herë në dy muaj, për t'u takuar me eprorët dhe kolegët e tyre, në një përpjekje për të shmangur izolimin e tepruar.

Ai gjithashtu u jep prindërve të rinj të drejtën të punojnë nga shtëpia pa miratimin paraprak të shefit, për sa kohë që fëmija i tyre është më pak se 8 vjeç.

Edhe në një kohë kur rritja e çmimeve të gazit natyror ka çuar në një rritje të kostove të energjisë elektrike, ligji kërkon që punëdhënësit të paguajnë një pjesë të faturave të energjisë elektrike dhe internetit stafit që punon nga shtëpia.

Ligji, i cili u miratua në parlament të premten dhe do të hyjë në fuqi këtë fundjavë, u hartua nga qeveria portugeze e udhëhequr nga socialistët si një përpjekje për të ruajtur ekuilibrin mes punës dhe jetës private, raporton “New York Times”.

Karantina për shkak të pandemisë ka detyruar miliona njerëz të punojnë nga shtëpia në dy vitet e fundit, por Portugalia është një vend i rrallë që ka miratuar ligje që duan të mbrojnë zyrtarisht orarin e punës së punëtorëve dhe të frenojnë shpenzimet e tyre të lidhura me punën.

Ligji u prezantua nga Ministrja Portugeze e Punës, Ana Mendes Godinho, si një mënyrë jo vetëm për të mbrojtur punëtorët vendas, por edhe për të inkurajuar më shumë të huaj që të zgjedhin Portugalinë si një vend për punë në distancë.

Portugalia është bërë një destinacion kryesor për të ashtuquajturit nomadë dixhitalë, pjesërisht sepse u ofron atyre viza speciale për qëndrim të përkohshëm dhe punë nga Portugalia.

"Ne e konsiderojmë Portugalinë si një nga vendet më të mira në botë për këta nomadë dhe punëtorë dixhitalë që punojnë nga shtëpia, që zgjedhin të jetojnë këtu dhe ne duam t'i tërheqim ata në Portugali," tha Godinho në një konferencë në Lisbonë këtë muaj.