Bulku: Ndaj Andorrës të shënojmë sa më shpejt

Zëvendëstrajneri i kombëtares, Ervin Bulku, në një prononcim për Supersport para ndeshjes së Shqipërisë ndaj Andorrës, ka theksuar se kanë punuar shumë në aspektin psikologjik për të lënë pas disfatën me Anglinë, ndërsa shton se Seferi e nis nga fillimi duke qenë se po kalon një formë shumë të mirë.

“Kemi shumë mungesa, koha ka qenë e shkurtër. Lojtarët që janë më mirë fizikisht po luajnë edhe duke qenë të detyruar nga mungesat që kemi. Skema është 3-5-2, edhe Roshi me Çekiçin shohin më shumë për sulmin”.

Pse Seferi dhe jo Muçi? “Muçi është aktivizuar me U21 dhe ka qenë i impenjuar, Seferi po kalon formë të mirë. Ndoshta Muçi futet nga stoli, e rëndësishme të harrojmë Anglinë”.

Motivimi? “Koha ka qenë e pakët dhe kemi punuar psikologjikisht, por e rëndësishme të shënojmë sa më shpejt dhe të zhbllokohen. Kështu, do ta kemi lojën nën kontroll”, u shpreh Bulku.