‘Kontigjenti kriminal në Elbasan’/ Noka-Bashës. Po thua që Berisha ka lidhje me bandat?

Një tjetër debat me tone të larta është zhvilluar në mbledhjen e kryesisë së PD mes Flamur Nokës dhe Lulzim Bashës, për sa i përket përfshirjes së kontigjentit kriminal në Elbasan për firmosjen e formularëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor.

Nga burimet për mediat, momenti kulminant ishte për deklaratat e Bashës në lidhje me përfshirjen e Suel Çelës, Tom Doshit dhe Aqif Rakipit.

Noka: Thoni se po  e organizon Aqif Rakipi, Suel Çela, Rraja, Tom Doshi. Është shumë e rëndë kjo deklaratë. Po thoni indirekt që Sali Berisha paska lidhje me bandat. Në rast se delegatët e Elbasanit janë intimiduar nga kushdoqoftë, atëherë unë jap dorëheqje. Se çfarë bëjnë njerëzit në punë të tyre, kjo është punë e tyre.

Basha: Tani, që Aqif Rakipi është futur me kokë në këtë proces, e ka marrë vesh gjithë Elbasani. A është futur Suel Çela? Po është futur! Dhe jam i bindur se është me porosi të Edi Ramës dhe jo të Sali Berishës. Po çfarë mund të bëjë një 20 e ca vjeçar katër orë nën presionin e Suel Çelës përveçse të firmosë? Është turpi i kësaj partie të rrijë nën mëshirë të Suel Çelës, Aqif Rakipit, Tom Doshit dhe Xhelal Rrajës. Po detyra jote Flamur është t’i thuash atyre demokratëve që të ankohen në Elbasan për Suel Çelën “Suel Çelës ia thyej brinjët këtu”, po ti katër orë rri në Elbasan dhe ikën. E kam të pamundur në çdo qelizë të trurit tim të pranoj Sali Berishën si porositës, por ai që gjen kohën për të reaguar për çdo gjë dhe nuk gjen kohën për të reaguar për këtë, kjo nuk e nderon. Asnjë fjalë për Aqif Rakipin, asnjë fjalë për Suel Çelën.