Kuvendi Kombëtar/ Albana Vokshi: Vendimi i Kryesisë nul, ka më shumë të emëruar se të zgjedhur me votë

Deputetja dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi ka reaguar pas propozimit të Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë, për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor. 

Syri.net mëson se gjatë mbledhjes së Kryesisë, Vokshi ka replikuar me Bashën, duke deklaruar se vendimi i sotëm i Kryesisë është nul. 

Sipas Vokshit, PD ka në Kryesi më shumë të emëruar se sa të zgjedhur. 

"Vendimi që do të marrë Kryesia është ilegjitim, sepse partia ka më shumë të emëruar se të zgjedhur", i është drejtuar Albana Vokshi, Lulzim Bashës. 

Ajo ka theksuar gjithashtu se mbledhja e Kuvendit Kombëtar do të jetë në datën 11 dhjetor, siç ka vendosur anëtarësia e këtij forumi me shumicë dërrmuese. 

Albana Vokshi: Shpresoja sot të merrnit tjetër vendim, t'i bashkoheshit 4200 firmëtarëve në dt. 11 dhjetor. Vendimi juaj është akt përçarës, jo demokratik autoritarist.

Neni 46: Kryesia përfaqëson forumet dhe vendimmarjen e anëtarësisë. Ju sot nuk po përfaqësoni e po fyeni 4200 anëtarë të Kuvendit kur përmendni Tomën-Aqifin-Suel-Rrahja.

Neni 43 përcakton 1/4 e firmëtarëve, janë mbledhur shumë më shume. Sfidoj znj. Duma dhe znj. Pampuri të vijnë e së bashku të certifikojmë firmat e degeve 9 dhe 11 se i njohin. Janë mbi 75% e firmave të delegatëve.

Ftoj të gjitha zonjat e grupit të punës që keni ngritur ju, të certifikojnë firmat e LDGSH se kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor të deritanishëm të LDGSH. Janë më shumë se 75% e delegatëve që kanë firmosur.

Thoni pse i fusni në kasaforte: po nëse ju vidhni Facebook dhe simbolet e LDGDH si mund t ju besojmë firmat?

Flisni për struktura paralele, por ju keni krijuar struktura jashtë partisë që linçojnë këdo që mendon ndryshe nga ju e është kritik i juaji.

Struktura paralele po krijoni ju: Keni ngritur një Grup për LDGSH ndërkohë që po fyeni mundin e 10 mijë grave që kanë marrë pjesë në këtë proces vitin që shkoi.

Ju po krijoni struktura paralele me vendime anti-statuore, anti-demokratike. 

Ju ka rënë popullariteti, përballuni me Berishën në Kuvend e nëse fitoni ju, na keni pas.

Demokracia është VOTË. E nuk është uzurpim i hapësirave që nuk ju takojnë.

Vendimet në 11 dhjetor i merr anëtarësia, jo ju.