Ish-kryeministri Sali Berisha njofton konferencë urgjente për mediat

Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar deklaratë për mediat, pas propozimit të Lulzim Bashës për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor

Berisha do të jetë në konferencë me gazetarët për mediat në orën 19:00 në ambientet e 'Xheko Imperial'. 

4200 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD kanë firmosur peticionin për thirrjen e forumit më të lartë vendimmarrës në datën 11 dhjetor, ku do të hidhen në votim ndryshimet statutore dhe do të çlirohet PD nga pengmarrja, siç është shprehur Berisha. 

Por në mënyrë të beftë dhe të papritur, Lulzim Basha propozon datën 18 dhjetor për Kuvendin. 

Dhe me një rend dite të ndryshuar dhe krejt të ndryshëm nga ai i 4200 firmëtarëve. 

Rendi i ditës i Kuvendit që ka thirrur Basha
I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës. 

II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë. 

III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave.

Rendi i ditës i Kuvendit të thirrur nga 4200 delegatë
Me qëllim rikthimin në legjitimitet moral, politik dhe statutor të funksionimit të Partisë Demokratike, për t’a rikthyer atë në shpresë për njerzit e lirë të këtij vendi,

ne, një grup deputetësh, antarësh Kryesie, antarësh të Këshillit Kombëtar, kryetarë degësh, grupseksionesh, seksionesh, delegatë të organit më të lartë drejtues të Partisë, Kuvendit Kombëtar, në përputhje me parashikimet e nenit  43 pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, marrim përgjegjësinë statutore për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në datën 11 dhjetor 2021 ora 11.00, me rend dite si më poshtë:

I. Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimarrjen në forumet e Partise Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike

II. Vendimarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të antarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

III. Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë

IV. Të ndryshme 

Kuvendi Kombëtar do të mbahet në ambjentet e Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdejt dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nëpërmjet organizmave të tij.

Firmetaret per mbledhjen e Kuvendit.