VIDEO/ Mënyra si e festoi Maguire golin ndaj Shqipërisë fut në debat anglezët

Në Angli duket se e kanë të pamundur të shijojnë momentet e mira të kombëtares.

Skuadra e Gareth Southgate arriti në gjysmëfinalen e Botërorit në vitin 2018, në finale e “Euro 2020” si dhe siguroi kualifikimin për në “Katar 2022”.

Ka motive për të qenë pozitivë, por kjo nuk ndodh, pasi, sipas traditës, ajo që ndodh në klube vlen shumë edhe kur futbollistët luajnë për kombëtaren.

Dinamikat e Premier League-s hyjnë edhe në ambientin e kombëtares dhe për këtë arsye edhe fitorja 5-0 ndaj Shqipërisë nuk u ka shpëtuar polemikave.

Sulmi erdhi nga një irlandez si Roy Keane, që pas golit të Maguire ndaj Shqipërisë e ka kapur me kapitenin e Manchester United, që festoi golin duke vendosur duart te veshët.

Diçka për të cilën Keane u shpreh: “Kjo është e sikletshme, ai po mendon të bëjë të heshtin kritikët e tij kështu?” Ishte kjo pyetja që ngriti Keane në përfundim të ndeshjes dhe për t’iu përgjigjur ka menduar trajneri Southgate.

“Duhet të kuptojmë industrinë në të cilën punojmë. Për të ecur para, duke përfituar, duhet të kesh qëndrime të ndryshme dhe duhet të zgjedhësh me kujdes se çfarë qëndrimi do të mbash. Unë, për shembull, si ish-futbollist, e di se sa të komplikuara janë gjërat kur zbret në fushë ndaj si opinionist tregohesha mirëkuptues”.

Sipas Gareth Southgate, Roy Keane është kthyer në një skllav të personazhit të tij vet, si shumë të tjerë në këtë ambient.

“Varet se çfarë të duhet të bësh për të mbajtur punën. Disa kanale të kërkojnë që të mbash qëndrime që kthehen në tituj, të tjera diçka ndryshe, ndaj e kuptoj. Për të mbetur në qendër të vëmendjes në këto ambiente të caktuara, duhet të thuash në transmetim të drejtpërdrejtë gjëra që do të përfundojnë në faqen e parë mëngjesin e së nesërmes. Kushdo që punon në këtë fushë e di si funksionojnë gjërat.

Unë si trajner e di, ndaj nuk është problem. Por për futbollistët është ndryshe, janë të rinj, nuk kanë eksperiencë në fushën e komunikimit dhe pyesin veten se përse ish-futbollistë, që me siguri e dinë se sa e rëndë është të kritikohesh, bëjnë gjëra të tilla”.