Endira Bushati: Basha po rrënohet si figurë politike, shkatërroi PD-në në zgjedhjet e 25 prillit

Ish-anëtarja e Kryesisë së PD-së Endira Bushati, në një intervistë me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, foli për faktin se Basha ka lajmëruar se do mblidhet Kuvendi i PD-së më 18 dhjetor.

Bushati thekson se Basha me këto që po bën, po rrënon figurën e tij politike. Ajo shton se Basha është ai që ka shkatërruar PD-në, që kur humbi zgjedhjet e 25 prillit.

“Statuti i 2018 në PD është regjistruar në korrik 2021. Njerëzit rreth Bashës as që kanë dashur t’ja dinë për statutin, e jo më t’i referohen. Bardhi është konfuz për referencat e statutit të PD-së. Mund të themi se Basha po shkon drejt vetëvrasjes si figurë politike. Po të kishte dinjitet njerëzor dhe politik, kur pa se pas 25 prillit, e shkatërroi PD-në, aq më tepër me efektin që krijoi me shkarkimin e Sali Berishës, ai duhet të jepte dorëheqjen e kështu ndoshta mund të ishte pjesë e jetës politike.

Basha nuk krijoi kurrë ngjizje me PD-në. Lulzim Basha gënjen sot kur thotë se ka fituar Bashkinë e Tiranës. Kjo nuk është e vërtetë, Basha kishte mbështetjen e Berishës, sepse ndryshe nuk do të fitonte. Fitorja e Bashkisë Tiranë i takon vetëm Berishës dhe elementëve të PD, që arritën bashkë ta fitojnë Tiranën. Basha nuk arrin të mbledhë elektoratin e 2013, e jo më të mundë Ramën”, u shpreh Endira Bushati.