Kalendari i javës së 9-të të Superligës, 5 ndeshje do luhen në ditë

Kampionati shqiptar i futbollit, Abissnet Superiore, rikthehet këtë fundjavë me sfidat e javës së nëntë dhe të fundit të fazës së parë, teksa të 5 takimet janë ndarë në tre ditë të ndryshme, duke nisur nga e shtuna deri të hënën.

Kështu gjithçka nis pasditen e të shtunës, me Vllazninë që do të presë Kastriotin në “Loro Boriçi”, në orën 16:45, në një sfidë ku shkodranët janë të dënuar të fitojnë, pasi kanë lënë shumë pikë rrugës.

Kuqeblutë kanë shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të rikuperuar të gjithë futbollistët dhe për të rregulluar defektet, ndaj të shtunën pritet të gjejnë fitoren e munguar prej tre javësh, që i ka lënë shumë mbrapa në garën për titull.

Në orën 19:45 vëmendja do të spostohet në “Air Albania”, aty ku Partizani do të përballet me Laçin, teksa një sfidë brenda sfidës do të jetë edhe ajo mes Ilir Dajës e Mirel Josës, dy prej trajnerëve më me eksperiencë në futbollin shqiptar.

E diela do të vijë me vetëm një ndeshje, ajo mes Teutës e Skënderbeut, që do të startojë në orën 13:45 dhe durrsakët do të kërkojnë të rikthehen te fitorja, pasi vijnë pas një humbjeje minimale në Laç.

E hëna do të propozojë dy sfida të tjera mjaft interesante, si Dinamo-Egnatia në orën 16:45 dhe Kukësi-Tirana në orën 19:45.