VIDEO/ Eksperti: Para se të bëheshin korsitë e biçikletave në Tiranë, duhej studim

Janë 250 mijë makina për 24 mijë vende parkimi në Tiranë, ndaj, parkimi në kryeqytet sot të konsiderohet si problemi “më horror, më i neveritshëm, më i qelbur” për gazetarin Flavio Qarri. Kurse kolegia e tij Dori Daka në “Kafe Shqeto” ka tentuar ta përshkruajë me fjalë më të zgjedhura stresin që përjeton që në mëngjes kur hipën në makinë dhe deri në darkë, por as ajo nuk ia ka dalë dot.

Me sa duket, ky problem që i ka rrënjët në Bashkinë e Tiranës, është konstatuar qartë dhe nga Kontrolli i Shtetit që ka dalë me vërejtje ndaj Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj dhe me rekomandime për zgjidhjen e situatës së rëndë. Sipas auditimit në Tiranë, janë 250 mijë makina për vetëm 24 mijë vende parkimi. Situata vështirësohet dhe nga ndërtimet pa kriter, pasi kompanitë shfrytëzojnë shumë vende parkimi pa pasur një leje.

Eksperti Islam Qibini është ftuar sot në “Kafe Shqeto” për të dhënë mendimin e tij për këtë situatë dhe sidomos, a ekziston mundësia të zgjidhet?

Kafe Shqeto: Z. Qibini, janë 250 makina me 24 mijë vende për parkim, shifra flet vet, po çfarë duhet të ishte bërë dhe si duhet rregulluar situata?

Islam Qibini: Trafiku në Tiranë, sidomos këto 2-3 vitet e e fundi është problematik nga parkimi i mjeteve për shkak të fluksit të madh dhe volumit të madh të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Tiranës. Megjithatë, duke parë parametrat teknikë të infrastrukturës, është e njëjta infrastrukturë, gjë që nuk i lejon drejtuesit e automjeteve për parkime normale. Gjithashtu ky volum i madh trafiku nuk përshtatet me infrastrukturën aktuale që gjendet sot në qytetin e Tiranës për arsye se parkingjet në qytetin e Tiranës janë dhënë me koncesion, “Tirana Parking” e ku qytetarët e kanë të vështirë për të gjetur një vend për të parkuar.

Parkimi në Tiranë është stresant, problematik dhe i kushtueshëm. Të gjithë qytetarët e vuajnë, shtuar edhe nga korsitë e biçikletave. Korsitë që janë bërë sidomos në akset kryesore të rrugëve të qendrës së Tiranës, janë  nga të dy krahët, siç është tek rruga e Durrësit, ku ke korsi biçikletash nga të dy krahët dhe parametrat teknikë të pistës së biçikletave janë rreth 2 metra, kur me standart duhet të jenë 1 metër e 20 cm.

Kafe Shqeto: Kjo mungesë e respektimit të standardeve, pse duhet t’i faturohet qytetarëve? Pse duhet të paguaj unë kur është Bashkia që duhet të më sigurojë hapësirën për të parkuar?

Islam Qibini: Para se të bëheshin këto hapësira për pista për biçikleta të dedikuara, patjetër që duhet të bëheshin nga grup ekspertësh që kanë njohuri të posaçme për sigurinë rrugore. Duhet të merreshin ekspertë  nga ARRSH, ekspertë nga Policia Rrugore, ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit, me qëllim që për vendet e parkimit të bëhej studim i veçantë që qytetarët të mund të parkonin pranë banesave të tyre.

Kafe Shqeto: Me këtë panoramë që kemi, cilat do të ishin 2 apo 3 masat që mund të merrte Bashkia dhe Policia Rrugore për ta lehtësuar sadopak këtë frustrim?

Islam Qibini: Në radhë të parë duhet bashkëpunim midis Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Pa koordinim midis këtyre dy institucioneve nuk mund të realizohet një plan i mirëfilltë për lëvizjen normale të automjeteve. Ke Rrugën e Durrësit që është problematike, ku gjerësia e trotuarit është mbi 5 metra në të dy krahët apo rrugën “Myslym Shyri” ku gjerësia e trotuarit në të dy krahët, nga Unaza deri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është rreth 6 metra e e ku korsia e biçikletave shumë mirë mund të organizohej në këtë trotuar pa i marrë hapësirën e nevojshme drejtuesve të automjeteve dhe pa rënduar trafikun.

Ndërsa në Rrugën e Durrësit që shkon në Qendrën Spitalore të Tiranës, ku në të dy krahët e rrugës nga Farmacia 10 drejt qendrës ke korsi biçikletash, është e panevojshme sepse kemi segment rrugor tepër të ngarkuar dhe aty duhet të ketë korsi për mjetet e shërbimit të emergjencës, ambulancat...

Ndiqni intervistën e plotë me ekspertët në “Kafe Shqeto”/ ar.sh/SYRI.NET