Ronaldo reagon pas disfatës me Serbinë: Rezultati ishte i rëndë, por i pamjaftueshëm për të na rrëzuar

Cristiano Ronaldo është i bindur se Portugalia do ta sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022 përmes “play-off”, pas disfatës kundër 2:1 Serbisë të dielën.

Portugalia do ta siguronte pjesëmarrjen në Katar 2022 automatikisht edhe me një barazim ndaj serbëve në Lisbonë, por Ronaldo dhe shokët e skuadrës nuk ia dolën ta shmangnin humbjen duke pranuar gol në minutën e 90-të.

Aleksander Mitrovic shënoi në minutën e 90-të për ta dërguar Serbinë direkt në Katar si fituese të Grupit A kualifikues, pasi Dusan Tadic e kishte barazuar rezultatin në pjesën e parë, pas golit hapës në ndeshje nga Renato Sanches për Portugalinë.

Ronaldo e pati një natë për t’u harruar në Lisbonë, pasi nuk ia doli ta bëjë qoftë edhe një goditje në kornizën e portës serbe.

“Futbolli na e ka dëshmuar përsëri e përsëri se, nganjëherë, rrugët më të vështira janë ato që të dërgojnë në vendin më të dëshirueshëm. Rezultati i djeshëm ishte i rëndë, por i pamjaftueshëm për të na rrëzuar neve”, shkroi Ronaldo në "Instagram".

Sulmuesi i Manchester Unitedit është i bindur se Portugalia e tij do ta sigurojë pjesëmarrjen në Katar 2022.

“Synimi për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2022 është ende shumë i arritshëm dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur atje. Nuk ka arsyetime. Portugalia po shkon në Katar”, shtoi ai.

Portugalia do ta mësojë emrin e kundërshtarit në “play-off’ muajin e ardhshëm. Dy ndeshje “play-off”, vajtje-ardhje, do të zhvillohen në mars.