Fluturimi i parë i riatdhesimit, Iraku do të kthejë në Bagdad emigrantët e bllokuar në kufirin Poloni-Bjellorusi

Qeveria irakiane ka thënë se fluturimi i parë për të riatdhesuar shtetasit e saj, të cilët janë në mesin e emigrantëve të bllokuar në kufirin Bjellorusi-Poloni, do të organizohet të enjten “në baza vullnetare”.

“Iraku do të kryejë një fluturim të parë për ata që dëshirojnë të kthehen vullnetarisht në shtëpi më 18 të këtij muaji” nga Bjellorusia, njoftoi zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme Ahmed al-Sahaf, raprtojnë mediat e huaja.

Njoftimi i Bagdadit vjen ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën për të zgjatur sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë vitin e kaluar pas represionit kundër kundërshtarëve të regjimit të Lukashenkos.

Kontakti i parë i nivelit të lartë midis Brukselit dhe Minskut që nga fillimi i krizës në kufirin lindor të BE-së u zhvillua të dielën. Udhëheqësi autokratik i Bjellorusisë akuzohet se ka orkestruar qëllimisht fluksin e emigrantëve për të dëmtuar bllokun.

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell foli me ministrin e Jashtëm bjellorus Vladimir Makei. Më pas ai e cilësoi situatën humanitare në kufi si “të pasigurt”.

Makei tha se çdo sanksion që synon vendin e tij do të ishte “i pashpresë” dhe “kundërproduktiv”.

Polonia, Lituania dhe Letonia po konsiderojnë t’i kërkojnë NATO-s të zhvillojë bisedime urgjente në mes të një krize migracioni në kufijtë e tyre me Bjellorusinë, citohet të ketë thënë kryeministri i Polonisë të dielën.

Javën e kaluar kriza humanitare u zgjerua në një përplasje gjeopolitike midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara nga njëra anë, dhe Bjellorusisë së mbështetur nga Rusia nga ana tjetër.