KAFE SHQETO/ 'Albin Kurtin e çoi në humbje, arroganca si e Ramës: Mund të kemi zgjedhje të parakohshme shumë shpejt'

Peizazhi politik i Kosovës ka ndryshuar përsëri: Zgjedhjet e fundit komunale treguan triumfin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë dhe humbjen e rëndë të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje.

Cili qe shkaku i kësaj humbjeje për Albin Kurtin, Kryeministrin që vjen nga Vetëvendosja? Çfarë pritet të ndodhë tani? Po në prapaskenë, çfarë po luhet, përse Albin Kurtit i kanë shtuar truprojat dhe niveli i sigurisë për të është rritur?

Albionë Zhitia, gazetare në Prishtinë e “Syri Kosova” shprehu bindjen sot në një intervistë se me humbjen “ka të bëjë arroganca që Vetëvendosja, me të ardhur në pushtet ka treguar ndaj personave, opinionit dhe medieve.”

Zhitia e krahasoi këtë arrogancë të Albin Kurtit thuajse të njëjtë me atë që tregon Edi Rama në Shqipëri, pasi pavarësisht kundërshtive që kanë me njeri tjetrin, në karakter janë jashtëzakonisht njësoj.

Parashikimin më të guximshëm, gazetarja nga Prishtina e bëri lidhur me zhvillimet e pritshme: “Mund të kemi zgjedhje nacionale shumë më shpejt se sa mund ta imagjinojmë”.

Si?! Përse?! Kur?!

Gazetarja Dori Daka dhe moderatori Flavio Qarri në studion e “Kafe Shqeto” sot, gërmuan thellë me pyetje për të mësuar sa më shumë nga Zhitia.

Kafe Shqeto: Albionë, a mund të na konfirmoni edhe shifrat e fundit e nëse janë zyrtare, të zgjedhjeve vendore në Kosovë?

Albionë Zhitia: Nuk janë ende zyrtare, sepse KQZ nuk ka dalë ende me njoftimin e fundit për të konfirmuar rezultatin, sepse do të duhen edhe disa çertifikime që do të ndodhin gjatë këtyre ditëve të ardhshme, mirëpo ajo që dihet është se kemi një humbës dhe një fitues. Në këtë rast kemi fitues Lidhjen Demokratike të Kosovës , e cila nga 9 komuna, ka arritur të marrë tetë prej tyre;

Është edhe Partia Demokratike që ka fituar më shumë komuna, gjithsej 9 komuna. Pastaj vjen Lista Serbe, Vetëvendosja dhe AAK, edhe pse kjo e fundit e ka tejkaluar pushtetin aktual që është partia LVV e Albin Kurtit.

Kemi një përmbysje të rezultatit. Mbi 50% ka triumfuar Përparim Rama kundrejt Arben Vitisë së Vetëvendosjes në kryeqytet dhe tashmë LDK-ja është rikthyer pas tetë viteve në kryeqytet. Ndoshta kjo është bërë edhe me ndihmën e partive të tjera opozitare në kryeqytet, duke pasur parasysh se na raundin e parë kemi pasur kandidat  Uran Ismailin me 20% nga PDK dhe Daut Haradinajn me 6%, përqindje këto që kur bashkohen përbëjnë shumicën. Në këtë punë po bëhet fjalë për koalicione të fshehta që ka bërë LDK në Prishtinë dhe që ka arritur të sigurojë fitoren kundrejt Vetëvendosjes.

Fitore për t’u mburrur ka Vetëvendosja në Gjilan, ku kandidati  i saj Alban Hyseni, një djalë i ri në moshë dhe përvojë politike, ka arritur ta mundë me një dallim shumë të madh, me një epërsi shumë të lartë, Lutfi Hazirin e LDK, që është njëherësh edhe nënkryetar e ishte në Gjilan në udhëheqje prej dy mandatesh teksa kërkonte edhe një mandat të tretë. Por ndoshta edhe humbja e Lutfi Hazirit ka qenë e pritshme për faktin se deri para pak ditëve para se të fillonte fushata, para se të shpalleshin kandidatët për komuna të caktuara nga LDK, u konfirmua kandidatura e tij sepse për një vit të tërë, Lutfi Haziri dha dorëheqjen nga strukturat në Gjilan dhe tregoi që nuk do të jetë më kandidat nga LDK. Se për çfarë…. Pikërisht kjo bëri që pastaj Lutfi Haziri të humbasë betejën përpara Hysenit. Kemi edhe beteja të tjera siç është e Prizrenit, ku “Jeruzalemi i PDK” u kthye dhe atje tashmë po udhëheq PDK dhe jo Vetëvendosja. Këto janë përafërsisht komunat që kanë marrë vëmendjen më të madhe dhe që kanë qenë në festë.

Kafe Shqeto: Lista Serbe ka pasur një performancë tejet efiçente në ato komuna ku ka enklava, minoritete apo prani serbe. Si është lexuar kjo nga politika e Prishtinës dhe a përbën një moment shqetësues ky numër kaq i lartë komunash?

Albionë Zhitia: Përkundër emrave dhe ndarjes administrative, kemi të bëjmë me një numër më të vogël të banorëve në këto zona dhe është e pritshme. Nuk kemi ndonjë reflektim, për shkak se gjithmonë ka qenë kështu në çdo palë zgjedhje lokale, në komunat me shumicë serbe, fiton Lista serbe, sidomos që nga krijimi i saj. Ndoshta mund të jetë ndonjë iniciativë tjetër serbe e Rajda Drajkoviçit ose e Senad Rashiçit, mirëpo me krjimin e Listës Serbe është e pamundur të triumfojnë partitë e tjera karshi Listës Serbe, sidomos duke pasur parasysh ndikimin dhe fuqinë e madhe  politike që kanë  nga Beogradi dhe presionin që i bëhet qytetarëve serbë për të votuar këtë Listë. Prandaj fitorja e tyre nuk bën përshtypje në Prishtinë. Gara në Prishtinë është më e fokusuar mes shqiptarëve dhe partive politike shqiptare sesa atyre serbe. E vetmja gjë që kanë bërë shqiptarët është që në disa komuna të vendosin kandidatët e tyre, siç është rasti në komunën e Mitrovicës së Veriut, të Novobërdës, të Kllokotit ose të Ranillugut. Mirëpo jo në komunat e tjera. Kemi pasur rastin e komunës me komunitet turk, ku fiton gjithmonë një nga partia turke, kandidati i saj. Atje kemi pasur vetëm një kandidat shqiptar siç ndodh edhe në Mitrovicën e Veriut. Ka qenë vetëm kandidati i Vetëvendosjes që ka garuar përballë Listës Serbe, por jo dhe nga partitë e tjera. Janë komuna të pakta të cilat garojnë me komuntetin serb sepse është një komunitet shumë i vogël i shqiptarëve që banon në to. Pa marrë parasysh nëse vendos ose jo një kandidat, dihet rezultati në fund të ditës, sepse komuniteti serb nuk e voton një parti shqiptare.

Kafe Shqeto: Po humbja e Vetevendosjes këtë herë? A mos ka të bëjë me një përqëndrim që Albin Kurti ka tek vetvetja dhe tek mungesa e hapësirës që i jep personave të tjerë? Cili është sipas jush shkaku i humbjes së Kurtit dhe LVV në këto zgjedhje?

Albionë Zhitia: Në radhë të parë Vetëvendosja identifikohet me Albin Kurtin dhe pavarësisht se ka figura të tjera si Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu dhe Arben Vitia, nga figurat më të rëndësishme të LVVqë nuk arriti të triumfojë në Prishtinë. Nuk ka të bëjë vetëm domeni, emri i Albin Kurtit. Ka të bëjë arroganca që Vetëvendosja, me të ardhur në pushtet, ka treguar karshi personave, karshi opinionit dhe karshi mediave në këtë rast sepse ka filluar të përdorë një metodë të ngjashme me Edi Ramën karshi mediave.

Kafe Shqeto: A po ushqen kultin e individit të vet, kultin e ngjashëm me të Edi Ramës edhe zoti Kurti, edhe pse mund të kenë kundërshtira?

Albionë Zhitia: Përkundër që mund të kenë dallime në përafrimin e politikave, kundërshtime që mund të kenë me njeri tjetrin, në karakter janë të ngjashëm, jashtëzakonisht shumë.

Kafe Shqeto: Mirëpo ndryshe nga Shqipëria, kosovarët e kanë ndier, e kanë perceptuar dhe e kanë kundërshtuar këtë lloj qasje të zotit Kurti.

Albionë Zhitia: Kosovarët kanë filluar e tashmë janë të vetëdijshëm, jemi mësuar me çdo palë zgjedhje dhe ju them se këto nuk do të jenë të fundit. Mund të kemi zgjedhje nacionale shumë shpejt. Shumë më shpejt sesa mund të imagjinojmë.

Kafe Shqeto: A është ky lajm i fundit ekskluziv, Albinë? Ka pasur lëvizje në këtë drejtim?

Albionë Zhitia: Ka të bëjë me politikat nacionale dhe Kosova tani, kur duhet të dalë në një rrugëdalje karshi Serbisë dhe të marrë një vendim përfundimtar në Dialog dhe të bëjë zgjedhjen e saj. Ne kemi Samitin e Demokracisë ku bëri shumë jehonë mosftesa e Kosovës, pastaj “jo, do të jetë pjesëmarrëse” e të gjitha këto. Të gjitha janë akumuluar dhe ndoshta jo nga brenda, nga jashtë një gjë do të lëvizë në këtë drejtim.

Kafe Shqeto: A ka një ndjesi të mirë apo të keqe popullata kosovare  ndaj raportit që ka ndërtuar Albin Kurti me Serbinë?

Albionë Zhitia: Në këtë rast popullata shqiptare në Kosovë e bën dallimin shumë të madh në aspektin e politikës qendrore me atë lokale sepse në ato lokale është qytetari që ballafaqohet me problemet direkte dhe kërkon llogari nga secila parti që drejton atë komunë, kurse në anën qendrore jemi më shumë në terma të përgjithshëm, sepse kemi problem rrënjësor në politikën e jashtme, Dialogun me Serbinë që e kemi pasur në vazhdimësi.

Në këtë pikë elektorati kosovar nuk lëkundet ndoshta shumë nga ai lokal sepse janë të njëzëshëm dhe veprimet që ka ndërmarrë Kurti (pavarësisht nga jehona se po bëhet për fushatë zgjedhore) përkundrazi, kanë qenë pro Kurtit dhe kanë qenë  në mbështetje të tij për aksione të tilla. Janë mirëpritur jashtëzakonisht shumë në këtë pikë dhe e mirëpresin në vazhdimësi.

Ju përmendët truprojat e shumta të Kurtit, jashtëzakonisht shumë gjatë ditës së djeshme, gjë që e kemi vënë re dhe ne. Nëse bëjmë një dallim mes raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe raundit të dytë, Kurti ka pasur truproja shumë më shumë se herën e parë, ka pasur një sigurim shumë më arrogant se herën e parë.

Kafe Shqeto: Nga se druhet Kurti kur futet në gjirin e popullit të tij?

Albionë Zhitia: Jo nuk është druajtur asnjëherë. Ka qenë ndër personalitet politike që ka lëvizur vetëm, lirshëm gjithmonë në qytet, mirëpo tani pas kërcënimeve të fundit, masat e sigurisë ndaj Kurtit janë shtuar e si duket protokolli i sigurisë ka ngritur nivelin e sigurisë edhe më lart dhe kjo ka bërë që të kemi edhe roje më shumë për Kurtin dhe objektet ku ai qëndron./ar.sh/SYRI.NET

Intervista me znj. Albionë Zhitia në Kafe Shqeto në momentin 1:05:05.