FOTO/ Akuzoi zv/kryeministrin për përdhunim, zhduket tenistja e njohur

Një javë pasi tenistja kineze Shuai Peng, 35 vjeç e vlerësuar me shumë çmime, denoncoi se ishte përdhunuar tre vite më parë nga ish zv/kryeministri kinez, Zhang Gaoli, 75 vjeç, askush nuk ka më lajme prej saj.

Sipas mediave, heshtja totale e saj është arsye për t’u shqetësuar duke pasur parasysh mjetet e forta të censurës në duart e qeverisë kineze. Shuai Peng publikoi rrëfimin e saj të detajuar në “Ueibo”. Postimi i saj qëndroi online për 20 minuta. Mjaftueshëm për të lejuar mijëra përdorues që ta kopjojnë dhe shpërndajnë.

Që nga ai moment ish-lojtarja profesioniste nuk ka publikuar më asgjë tjetër. Komentet janë fshirë dhe teksti i postimit është i mbuluar nga censura në rrjetet sociale kineze. Ditën e postimit dhe fjala “tenis”, u ndalua në “Ueibo”.

Peng akuzoi Zhang duke treguar se ishin takuar për herë të parë, para shtatë vjetësh kur ai ende nuk ishte zv/kryeministër. Ai e takoi sërish para tre vitesh për një lojë tenisi, dhe aty e përdhunoi. Peng shprehej se ishte e terrorizuar, pasi bashkëshortja e tij sigurohej që askush mos të shihte dhe të mos dëgjonte gjë.

Që nga ai moment nisi një lloj marrëdhënie ku ai ishte gjithnjë jo korrekt, i dhunshëm, gënjeshtar dhe ziheshin shpesh. Historia zgjati deri një javë para denoncimit të saj në rrjetet sociale.

Shqetësimet në mesin e komunitetit global të tenisit janë rritur gjatë dy javëve të fundit. WTA(shoqata e të drejtave të grave) tha në një deklaratë të dielën se do të kërkojë një “hetim të plotë, të drejtë dhe transparent mbi akuzat për sulm seksual kundër ish-udhëheqësit kinez”.