Topalli: Rama dhe Basha po kënaqin orekset financiare të njëri-tjetrit

Kryesia e PD-së, do të zhvillojë sot mbledhjen e parë, të thirrur nga Lulzim Basha. Mbledhja do të zhvillohet në orën 16:00, në selinë blu, ndërsa lidhur me këto zhvillime ka reaguar dhe ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Në një intervistë për ABC news, ajo tha se nuk është demokratike ajo që po ndodh, pasi duhet të ketë një rend dite dhe transparencë.

“Nuk është demokratike ajo që po ndodh vitet e fundit. Duhet të ketë një rend dite, nuk ka, duhet të ketë transparencë, nuk ka. Ne shohim që opozita po përjeton një moment kritik të ekzistencës së saj. Kryetari humb tre herë dhe nuk pranon të japë dorëheqjen.

Lëvizja që ka filluar në shtator është unike, nuk ka pasur asnjëherë një lëvizje kaq të fuqishme që të mobilozojë gjithë bazën. Është e paimagjinueshme që të mobilizohet shumica e antarësisë dhe ta ndjejnë emergjencën e reformimit të opozitës”, tha Topalli.

Duke folur më tej ajo tha se po bëhet një opozitë false dhe se Rama e Basha po kënaqin orekset finaciare të njëri-tjetrit.

“Të korruptosh në opozitë, ndoshta Edi Rama është kryeministri i vetëm në këtë dekadë që i përgjigjet ambicies finaciare të Lulzim Bashës. Është turpi i kryetarit të opozitë dhe kryeministrit vetë që kënaqin orekset financiare. Këto kanë vra të vërtetën, misionin që duhet të kishte opozita dhe mazhoranca. Të dy kanë tradhëtuar. Edhe organizatat kombëtare kanë tërhequr veshin disa herë. Tjetrit i ka ikur buzëqësha që mbante dhe ngre e zërin kohët e fundit. Po bëhet një opozitë farsë në Kuvend”, tha Topalli.