Basha: Ty të besojnë kriminelët! Rama: Pse s'shkon në gjyq në Belgjikë

Kryeministri Edi Rama i tha kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se atë nuk e besojnë as kolegët deputetë të PD, e jo më shqiptarët.

“Mirë, dakord. The se ne nuk na beson më njeri. Po kë besojnë shqiptarët? Ty? Sa nga këta rreth e rrotull të besojnë ty? Sa? Sipas teje? Bëj një reflektim, shikoji mirë… Dhe ty more zotëri nuk të besojnë gjysma e këtyre që ke këtu në sallë, e pretendon të të besojnë shqiptarët. Mbahu mër burrë, mos e lësho veten fare se u bërë komplet…”, tha Rama.

Kreu i PD iu kundërpërgjigj duke thënë se Rama ka vetëm besimin e kriminelëve. “A ka socialist të ndershëm në Shkodër që nuk e dinë se kriminelët janë shefat e vërtetë aty? Apo në Elbasan, në Durrësin e Vangjush Dakos… Pushteti grabitet me kriminelë, që të vazhdojë grabitja me të ashtuquajturin buxhet. Borxhi është rritur, taksat janë rritur, çmimet janë rritur. Ku shkojnë paratë? Rama ka vetëm besimin e kriminelëve, madje mosbesimin, sepse edhe ata sjellin këtu në Kuvend njerëzit e tyre, sepse nuk i besojnë. Dhe çfarë bën? I kundërvihet një partie që ka ardhur me votat e pastra”, tha Basha.

Seanca ku po diskutohet buxhetin për vitin e ardhshëm është shndërruar në një arenë debatesh mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, të cilët kanë folur për pjesën më të madhe të kohës që nga nisja e punimeve.

Gjatë replikave në sallën e Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e akuzoi kryeministrin, Edi Rama për ngritjen e një ekonomie në shërbim të oligarkëve. Basha vijoi dhe më tej duke thënë se dihet shumë mirë se nga kush financohen çarterat që lëviz kryeministri, duke aluduar vendosjen e një çarteri të oligarkëve në shërbim të kreut të qeverisë.

"Mbeturinë e social-realizmit. Hiq 51.2 milionë euro për luksin tënd. Jeton si sheik me taksat e vendit më të varfër në Evropë që ka taksat më të larta që nga koha e “Tanzimatit”. Mos e harro Kenedin, ça ndodh me ata që ndalojnë ndryshimin e paqtë të pushteti”, tha Basha.

Gjithashtu Basha gjatë fjalës së tij mbrojti dhe skanerin e shërbimeve në dogana të ndërmarrë në kohën e PD-së. Duke iu drejtuar ministres Elisa Spiropali me nota ironike pasi e quajti 'zonja 5 milionë euro', Basha tha se si pasojë e këtij koncesioni kapen petët e kokainës e shokëve të kryeministrit.

Kurse kryeministri iu drejtua liderit të demokratëve me një pyetje gjatë fjalës së tij për çështjen në hetim të njohur edhe si çështja ‘Toyta Yaris’.

“Sa i takon Toyota Yaris Lulëzim se e përmende, pse nuk shkon në gjykatën në Belgjikë sa herë të kanë ftuar? Sa herë të kanë thirrur në gjykatë? Shko dëshmo atje se të kanë thirrur si person në dijeni aty, e mos hajde ta përmendësh këtu”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama ka ironizuar me kryedemokratin Lulzim Basha teksa e ka quajtur si “komisari i dritës që përpëlitesh këtu për t’u sjellë dritë shqiptarëve”.