Mancini: Duhet ta shmangim ankthin, mund të jetë vrastar për objektivin tonë

Roberto Mançini nuk deshi që të shprehte shumë fjalë në konferencën për shtyp në Belfast përpara ndeshjes vendimtare sot kundër Irlandës së Veriut. Trajneri i Italisë pranon se ka shumë presion në grupin e tij, por ai kërkon që futbollistët e vet të bëhen të fortë dhe të shmangin ankthin në fushë, siç ndodhi në pjesën e parë kundër Zvicrës.

Kampionët e Europës në fuqi kanë në favor të tyre vetëm golavarazhin e grupit, i cili është edhe kriteri kryesor për t’u kualifikuar direkt për në “Katar 2022”, por nga ana tjetër i tremben shumë edhe faktit se mos fantazmat e ndeshjes së 2017-ës me Suedinë do të jenë prezentë në kokat e lojtarëve të tij, por akoma më shumë i tremben edhe ndonjë lëshimi nga ana e Bullgarisë përballë Zvicrës, duke mos pasur asnjë objektiv për të arritur.

“Kundër Zvicrës e vuajtëm presionin, madje në pjesën e parë pashë pak si shumë ankth nga ana e lojtarëve të mi. Por, kundër Irlandës së Veriut pikërisht ankthin duhet ta shmangim me çdo kusht, pasi ai mund të jetë vrastar për objektivin tonë dhe për të punuar të qetë mbi një fitore sa më të gjerë në rezultat për ne.

Jemi vetëm 90 minuta larg kualifikimit për në Botëror, prandaj pikërisht në të tilla ndeshje tregohet edhe mentaliteti fitues që ka një grup. Këtë pres të shoh në Belfast nga ana jonë. Mendja e kthjellët në një ndeshje që vlen biletën për në Kupën e Botës, është çelësi i suksesit ndaj shpresoj dhe e ripërsëris që të mos i dorëzohemi ankthit, pasi të zbresim në fushë ndaj Irlandës së Veriut, – nënvizon Mançini, i cili lidhur me formacionin nuk jep asnjë indicie",tha Mancini.

"Barela është i rikuperuar dhe mund të luajë nga minuta e parë. Madje, është edhe më në formë sesa u pa ndaj Zvicrës. Tonali? Ka shanse që të luajë titullar (në vend të Manuel Lokatelit ndoshta), pasi këtë sezon ka shfaqur një rritje teknike, fizike dhe psikologjike shumë të madhe.

Në sulm me 9 fals? Nëse luajmë me tre sulmues teknikë apo me Belotin që është një pykë klasike pak ndryshon. Ajo që bën diferencën në fushë është mentaliteti, kthjelltësia dhe gjakftohtësia në zonën rivale, jo centimetrat dhe masa muskuloze e lojtarëve që përbëjnë repartin”, deklaroi trajneri i Italisë në konferencë.