U vra në Astir/ Erigers Mihasi i ishte kthyer rrugës së Zotit, sapo kishte filluar të frekuentonte xhaminë

32-vjeçari Erigers Mihasi, i cili u vra në një atentat me armë zjarri bashkë me shokun e tij, kishte pak kohë që frekuentonte xhaminë.

Mihasi, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa krime, kishte menduar që të linte pas të kaluarën e tij të errët dhe ti përkushtohej besimit islam.

Këtë gjë e ka bërë të ditur edhe faqja në Facebook “Xhamitë e Tiranës” me anë të një postimi, e cila mes të tjerash shkruan se Mihasi kishte vendosur t’i kthehej rrugës së zotit.

“Te Zotit jemi dhe vetëm tek Ai një ditë padyshim do të kthehemi! Mbrëmë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij Erigers Mihasi i cili u vra në një atentat tek Astiri bashkë me shokun e tij. Erigersi sapo kishte filluar të frekuentonte xhaminë duke ju kthyer rrugës së Zotit dhe duke lënë pas tij të kaluarën e errët, mirëpo deshi Allahu ta merrte nga kjo botë.

Namazi i Xhenazes do të falet sot në varrezat e Sharrës në orën 14:30.

Të gjithë njerëzit janë gabimtarë, po më i miri prej tyre është ai që pendohet te Zoti i tij.

Zoti ia pastë pranuar sakrificën për t’iu kthyer rrugës së mbarë, Zoti ju dhëntë durim familjarëve të tij”, shkruhet në njoftimin e Xhamisë së Tiranës.

E shkuara e erret e Erigers Mihasit

32-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi, ngjarje e ndodhur disa javë më parë në Laç. Mësohet se ai ka qenë nën përgjim nga prokuroria ndërkohë që ende nuk ishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij.

Po ashtu Mihasi, akuzohej se ka grabitur nën kërcënimin e armës banesën e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, ndërsa dyshohej se ishte bashkëpunëtor në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”.

Ndërkohë nga atentati mbeti i vrarë dhe Armando Dumani. Të dy viktimat njiheshin si persona me precedentë të mëparshëm penal.