Grabitjet me armë dhe lidhja me Santiago Malkon/ Rekordet kriminale të Erigers Mihasit e Armando Dumanit

Breshëria e plumbave tronditi kryeqytetin mbrëmjen e kësaj të shtune kur ora shënonte 19:30, duke lënë pas dy viktima. 

Erigers Mihasi 32 vjeç dhe Armando Dumani 26 vjeç, emra këto të njohur për drejtësinë, u ekzekutuan në zonën e Astirit në Tiranë, teksa ndodheshin në një 'Audi' A8, ngjyrë e bardhë dhe me targa AA 008 EM.

Dy viktimat kanë rekorde kriminale dhe pikërisht e shkuara e tij dyshohet se është shkak për ngjarjen e sotme. 

Atentati ndodhi në një prej zonave më të frekuetuara të Tiranës dhe në një orar fluksi lëvizjesh. 

Erigers Mihasi, një nga viktimat e atentatit

Por kush janë dy viktimat?

32 vjeçari Erigers Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë.

Arrestimi i tij është bërë në Yrshek të Tiranës. Mihasi fitoi pafajësinë për këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. Po ashtu, emri i tij del edhe në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 gusht të vitit 2019 në një atentat pranë ish-Kinostudios.

Ndërsa edhe viktima tjetër, Armando Dumani, njihej si një person me precedent penal.

Ai mësohet se ka kryer grabitje në një bankë të nivelit të dytë, nën kërcënimin e armës. Dy viktimat ishin duke udhëtuar me mjetin tip 'Audi' me targa AB 008 EH, ku u bënë “shënjestër” të plumbave. Autorët hapën zjarr drejt viktimave nga një automjet në lëvizje. Të gjithë plumbat janë derdhur në xhamin e makinës nga ana e pasagjerit. 

Erigers Mihasi dhe Armando Dumani kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes. 

Autorët pas ngjarjes, dyshohet se janë larguar drejt zonës së ish rrethrrotullimit të Shqiponjës. 

Rreth një orë e gjysmë pas ngjarjes, u njoftua se në zonën e Thumanës u gjet një automjet i djegur. Makina tip 'Honda' dyshohet se është përdorur nga autorët në atentatin e mbrëmjes së kësaj të shtune.