Dy të vdekur nga atentati në 'Astir', u qëlluan brenda në 'Audi'

Dy të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në zonën e quajtur "2 rrathët” e Astirit, në Tiranë mbrëmjen e kësaj të shtune.

Gazetarja e Syri Tv Fjona Çela bën të ditur se automjeti tip 'Audi' me targa AB 008 EH është qëlluar me breshëri plumbash. 

Viktimat janë drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri. Identiteti i tyre ende ende nuk bëhet i ditur. 

Dyshohet se drejt tyre u hap zjarr nga një tjetër automjet. Autorët janë larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët në drejtim të ish-sheshit 'Shqiponja'.

Njoftimi i policisë
Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur "2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë  zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.