Rama nxit emigrimin: Europa ka nevojë për shqiptarët, duan forcë punëtore

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median franceze “France 24”, ku ka folur për një sërë çështjesh, duke nisur nga integrimi në BE, lufta ndaj korrupsionit dhe vështirësia e gjetjes së vaksinave anti-COVID.

Kreu i qeverisë ka thënë se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për çeljen e negociatave, por procesi po minohet nga veto e vendosur prej Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. 

Rama shtoi gjithashtu se nuk janë shqiptarët ata që kanë nevojë për BE-në, por e kundërta, pasi Europës, sipas tij i nevojitet forcë punëtore nga Europa Lindore dhe Ballkani. 

“Po, jemi në një situatë mjaft absurde, për t’ju thënë të vërtetën, sepse për momentin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli Evropian, Bullgaria ka nxjerrë nga xhepi kërkesat me karakter historik dhe identitar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesi mbetet i bllokuar, sepse siç e dini, Këshilli Europian bllokohet lehtësisht vetëm me një veto të njërit prej anëtarëve të tij. Që prej disa vitesh, Franca kishte një qëndrim më pak entuziast, i cili nuk lidhej me Shqipërinë, apo me problemet e Shqipërisë, por ishte një qëndrim që lidhej me vizionin e presidentit francez, një qëndrim shumë i qartë i shprehur prej tij për nevojën për thellimin e reformave në Evropë në mënyrë që të ecej më shpejt me zgjerimin.

Dhe vizioni i tij u shty përmes një metode të re integrimi, e cila pasi kishte miratimin e të gjithë të tjerëve, dhe ja pra. As presidenca franceze nesër dhe as Franca, Gjermania dhe të tjerët sot nuk kanë forcë ta lëvizin Bullgarinë, nëse vetë Bullgaria nuk pranon të lëvizë nga pozicioni i saj, i cili është një pozicion mjaft i ndërlikuar për t’u shprehur, për t’u shpjeguar këtu, por që e bën procesin edhe më të ndërlikuar duke vendosur mes nesh dhe Bashkimit Evropian një çështje që është qartësisht dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Çfarë vale migrimi?!

Problemi i valëve të migrimit nuk lidhet për mendimin tim me avancimin e procesit të integrimit, por është veçanërisht i lidhur me të kundërtën, sepse e kundërta krijon situate që bëjnë që emigracioni ilegal të lulëzojë dhe rrjetet kriminale të fitojnë para. Ja pra, unë nuk shoh një rrezik shqiptar për Europën, përkundrazi, Europa ka mundur të thithë miliona, miliona e miliona të tjerë në dëm, me thënë të vërtetën, të vendeve që kanë humbur shumë kapital njerëzor për shkak të këtyre lëvizjeve nga Lindja në Perëndim dhe për të thënë të vërtetën, Evropa Perëndimore ka nevojë për fuqinë punëtore që ofrojnë njerëzit që vijnë nga Evropa Lindore, ose njerëzit që shkojnë nga Ballkani në Europën Perëndimore”, tha Rama.

Duke folur për korrupsionin, ai tha se ende është prezent në Shqipëri, por duke e krahasuar situatën me 8 vite më parë, rezultati i përmirësuar është i dukshëm.

“Ju thatë “shumë shumë korrupsion” unë do të thosha se Shqipëria ka një problem me korrupsionin, por shembulli që ju sapo dhatë dhe ky nuk është i vetmi, tregon se lufta kundër korrupsionit ka shkuar në një nivel tjetër. Kjo do të thotë se po, në krahasim me Francën ose me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, ne jemi një vend që kemi ende një problem korrupsioni për të zgjidhur, por në krahasim me 8 vjet më parë, nuk ka krahasim. Jemi në procesin e transformimit të plotë të sistemit tonë të drejtësisë dhe kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë një spastrim shembullor të të korruptuarve në sistemin e drejtësisë”, nënvizoi Rama.

Ndërsa për vaksinat ai tha:

“Ne patëm një moment të parë të vështirë me Bashkimin Evropian, sepse të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor nuk u përfshimë në shpërndarjen e pare të vaksinave në Evropë dhe ishte vërtet e vështirë që të fillonim vaksinimin e të gjithë njerëzve. Madje nuk mund të vaksinonim as infermierët dhe mjekët dhe këtë mundëm ta zgjidhnim duke u hapur ndaj alternativave të tjera dhe ja ku jemi tani në një situate ku nuk është mungesa e vaksinave, por beteja me teoritë konspirative dhe me absurditetet e internetit që duhet fituar. Është e vështirë”.