VIDEO/ Banorët e Laprakës në protestë: Do shembin 700 shtëpi, i kemi ndërtuar me djersë

Banorët e Laprakës vijojnë protestën lidhur me devijimin e projektit të Unazës së Madhe, i cili prek shtëpitë e tyre. 

Protestuesit thanë se projekti ka pësuar ndryshime dhe nëse zbatohet parashikon shembjen e 700 shtëpive. 

Banorët kërkojnë dëmshpërblim sipas ligjeve në fuqi, ndërsa i druhen një skenari si te lagjja "5 maji" në Tiranë, flakjen në rrugë. 

"12-13 dhjetor do të nisin punimet, do vijnë me letra dhe do na thonë keni 5-10 ditë kohë për të liruar banesat, siç bënë te '5 maji'. Këta kërkojnë gjak", u shpreh protestuesi dhe gazetari Bled Marku. 

"Kemi një drejtor policie, djal i ri, i emancipunuar duket deri në këto momente. Shpresojmë të mos bëhet si Sandër Kimiku që as ujë s'të jepte, por vetëm gaz lotsjellës. Ne duam të drejtën tonë. Janë banesa të ndërtuara 30 vitet e fundit. Askush s'ka ndërtuar pa pyetur se nga bie projekti. Se ndryshoi projekti nuk është faji jonë, Balluku. Ajo që po ndodh te 5 maji shumë shpejt do të vijë këtu. Ne do të protestojmë. Nuk tërhiqet askush. Janë 700 banesa që prishen nga fillimi e deri në fund. Nuk janë banesa të vjedhura e as të ndërtuara me lekë të pista, por janë lekë djerse. Shpresojmë të ketë reflektim nga autoritetet, të vijnë dhe të ulen këtu këmbëkryq, nuk jemi afganë që të na largoni. Nëse jeni talebanë, merrni armët dhe na largoni, me dhunë, ne do t'ju përgjigjemi siç dimë. Ne nuk duam konflikt me policinë e askënd, duam respektim të ligjit", tha ai.