Nis në Vatikan atmosfera e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri

Nis të ndjehet atmosfera e Festave të mëdha të dimrit: Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Në Vatikan, sinjali i parë. Sivjet Shpella e Betlehemit arrin në Sheshin e Shën Pjetrit nga Parusa kurse Bredhi, nga Andalo, në Trentino. Siç ndodh çdo vit, ky është sinjali i parë që sjell në Vatikan atmosferën e Festave të mëdha. Edhe pse të ngadalësuara nga koha e keqe, punimet vijojnë rreth Obeliskut, ku po hidhen bazat mbi të cilat do të ngrihet Shpella e Betlehemit e do të lartohet Bredhi i Krishlindjes, njoftoi Radio Vatikani.

Sivjet bredhi vjen nga Andet, nga fshati Chopcca, bashkësi e zonës Huancavelica, në Perù. Lajmin e dha Papa Françesku që, pas Engjëllit të Tënzot të së dielës, 24 tetor, pati kujtuar nga do të vinte Shpella e Betlehemit, duke përshëndetur bashkësinë peruviane, që kremtonte festën e Senor de los Milagros. Lindja e Krishtit do të kompozohet nga më se 30  figura, realizuar nga pesë artistë të famshëm Huancavelica.

Ndërsa Bredhi i kuq “a Picea abies” - siç e quajnë vendasit, do të vijë nga Andalo, në Trentino. Eshtë 28 metra i gjatë e, sipas traditës, do të vendoset pranë e pranë Shpellës, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Delegacioni, që do ta përcjellë Bredhin nga pyjet e Trentinos- në Romë,  do të mendojë edhe për zbukurimet e realizuara në dru.

Guvernatorati, si zakonisht, përmes Drejtorisë së Infrastrukturave dhe Shërbimeve, do të kujdeset për ndriçimin me impiantin e konsumit të ultë energjitik. Për Sallën e Palit VI - së fundi - Shpella e Betlehemit iu besua një grupi të rinjsh të Famullisë Bartolomeu Apostull të Gallios, provinca e Vicenzës, dioqeza e Padovës.

Shpella peruviane e Betlehemit - njofton Guvernatorati vatikanas -  dëshiron të kujtojë edhe dyqindvjetorin e pavarësisë së Vendit, të rikujtojë  një skenë nga jeta e popujve të Andeve e të simbolizojë thirrjen universale për shëlbim, sepse Biri i Zotit u mishërua për të shëlbuar çdo burrë e çdo grua, në të katër anët e universit: njerëz që i përkasin çdo gjuhe, populli, kulture, kombi.

Përurimi tradicional i Shpellës së Betlehemit dhe ndriçimi i Bredhit të Krishtlindjes do të bëhen, duke respektuar normat për t’iu kundërvënë pandemisë, në Sheshin e Shën Pjetrit,  të premten, më 10 dhjetor, në orën 17.00. Kremtimi do të kryesohet nga kryeipeshkvi Fernando Vergez Alzaga, president i Guvernatoratit. Në të njëjtën datë, në mëngjes, delegacioni i Huancavelica, i Andalos dhe Gallios, do të priten në audiencë nga Papa Françesku për paraqitjen zyrtare të dhuratave.