Kosova sot në heshtje zgjedhore, nesër raundi II i zgjedhjeve lokale

Pas pesë ditësh fushatë zgjedhore, sot në vend është heshtje zgjedhore kurse nesër qytetarët e 21 komunave do të votojnë për kryetarin e tyre të ri.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kanë shkuar 21 komuna, ku 42 kandidatë do të përballen në balotazh për të fituar mandatin e kryetarit, njofton Telegrafi.

Fushata zgjedhore për garën e balotazhit ka zgjatur pesë ditë, nga e hëna (8 nëntor) deri të premten (12 nëntor) dhe ajo është zhvilluar pa incidente, por edhe me tubime masive pa respektimin e masave anti-COVID.

Procesi i votimit do të mbahet në 66 % të vendvotimeve.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571.

Qendrat e votimit do të hapen nesër duke filluar nga ora 07:00 dhe do të jenë të hapura për qytetarët deri në ora 19:00.

Komunat dhe kandidatët që do të garojnë në rundin e dytë të dielën:

Në Komunën e Drenasit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Në Gjilan do të garojnë Lutfi Haziri nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave dhe Alban Hyseni nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Komuna e Gjakovës do të garojnë në balotazh Ardian Gjini i AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lila e LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut do të ketë garë mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.