VIDEO/ Kriza e zjarrit: Dyfishohet çmimi i druve për ngrohje në Dibër, arrin në 9000 lekë/m³

Qytetarët e Dibrës  po e marrin me dyfishin e çmimit, lëndën drusore aq të nevojshme për ngrohje, krahasuar kjo me vitin e kaluar, njoftoi gazetari i SYRI TV. Nëse një vit më parë një metër sterë dru zjarri varionte nga 35 deri 40 mijë lekë të vjetra, këtë vit çmimi është dyfishuar dhe aktualisht shitet me 70 deri në 90 mijë lekë për metër ster.

Kjo situatë ka vënë në vështirësi 120 mijë banorë të rrethit verilindor, pasi qytetarët e kanë të pamundur t'i blejnë drutë me këtë çmim.

Megjithëse Dibra është e rrethuar gjithandej nga malet, dhe ka plot mundësi për t’u furnizuar me lëndë djegëse dru zjarri, tregtarët po e sjellin atë nga Librazhdi e Tirana, ndaj edhe çmimi dyfishohet për shkak të transportit.

Në fushën e druve ka një sasi lënde drusore, por vetë pronari tregon se ky çmim është i lartë për dibranët, pasi varfëria është në ekstrem.

Por një rast i paprecedentë ka ndodhur këtë vit, pasi banorët nuk janë lejuar nga policia të transportojnë as lëndën drusore të siguruar nga drurët frutorë të thatë, të vjetëruar apo pemëtore të degraduara, të cilat do ta zbutnin situatën. Policia është bërë një barrierë e fortë duke ndëshkuar këdo që pret edhe një "pemë" të mbjellë nga gjyshërit.

Situatën e vështirë e pranon edhe kryetari i Bashkisë Shkëlqim Murrja, i cili thotë se është një problematikë e trashëguar nga ish/kryetari, paraardhës i cili duhej të kishte ngritur një strukturë siç ia jep ligji dhe të hapte parcelë shfrytëzimi në fondin pyjor të Dibrës, dhe çmimi nuk do të fluturonte dyfishin e vitit të kaluar. Këtë procedurë shprehet Murrja, megjithëse me vonesë ne po e përfundojmë. Problematika nuk pritet të zgjidhet menjëherë pasi nuk ka më kohë në dispozicion, në pyje nuk shkohet më pasi dita ditës priten reshjet e borës.

Dibra ka një fond pyjor në mbi 64 mijë hektarë pyje, të ndarë në zonat e mbrojtura ku më shumë se 36 mijë hektarë janë të mbrojtura rreptësisht si Parqe Natyrore të Mbrojtura, dhe rreth 30 mijë hektarë Pyje Bashkiake për shfrytëzim.

Specialistët japin arsyet pse jemi në këtë situatë, rregullimin e ligjit, për menaxhimin e pyjeve dhe furnizimin e popullatës me dru zjarri, por ato shohin si zgjidhje mënyrat alternative për ngrohje.

Mungesa e një mekanizmi, apo e një strukture konform ligjit ka shkaktuar këtë problematikë. 

Sot në prag të dimrit dhe 70% e banorëve të qytetit më të ftohtë të vendit i futen dimrit pa asnjë mundësi për të ngrohur fëmijët. Kjo është hera e parë që qytetarët nuk kanë asnjë alternativë për ngrohje, dhe për këtë akuzojnë qeverisjen e dobët.