VIDEO/ Berisha-Bashës: Ejani në Kuvend! Por edhe nëse nuk vini, nuk do të përjashtoheni nga PD

Ish-kryeministri Sali Berisha ftoi, nga 'Foltorja' e Sarandës, kryetarin aktual të PD, Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit. 

Gjithashtu, Berisha shtoi se nëse ata refuzojnë të marrin pjesë, nuk do të përjashtohen nga PD. 

"Ata kanë frikë dhe tmerr nga firmat tuaja. Por do t'i çlirojmë. Ata janë pjesë e jona. Ata le të vinë në Kuvend, por edhe po nuk erdhën në Kuvend, sërish nuk përjashtohen nga Partia Demokratike. Jo, nuk jemi ne. Por ne Kuvendin ne do ta shndërrojmë PD-në në lokomotivën më të fuqishme të politikës shqiptare", u shpreh Berisha.  

4200 firmat, sqaroi Berisha, nuk do të bëhen publike për shkak të ligjve për mbrojtjen e privatësisë, sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa i bëri thirrje Bashës që të shkojë dhe t'i shohë ato vetëm si anëtar i PD në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, pasi tagër tjetër mbi formularët nuk ka.