U shpall në kërkim, biznesmeni Rezart Taçi: Jam i shokuar. Ja si e ndihmova italianin të hapë llogari bankare

Pasi është shpallur në kërkim nga ana e SPAK, ka folur për SYRI TV, biznesmeni i njohur, Rezart Taçi.

I akuzuar për pastrim parash, Taçi theksoi se nuk është e vërtetë se ka bërë pastrime të parave, që sipas akuzës, shkojnë në dhjetëra miliona euro. Ai shtoi se nuk ka llogari bankare, e se nuk ka përfituar ndonjëherë para.

Taçi tha se një mik i kishte thënë që të hapte një llogari bankare për një shtetas italian.

Ai shton se as kunati e as ish-truproja nuk kanë lidhje me akuzat, pasi vetëm sa kanë shoqëruar shtetasin italian në bankë.

Për Taçin, është akuzë e rëndë që të thuash për dikë se bashkëpunon me mafien, vetëm pse shoqëron një person.

“Nuk kam transferuar para ndonjëherë. Nuk kam hapur llogari bankare, ku kanë kaluar para. Jam kontantuar nga një ekonomist, që e njihte një miku im. Më është thënë që t’i hapja llogari në një bankë shqiptare. Madje, ia kam bërë me dije se llogarinë duhet ta hapte në bazë të ligjeve shqiptare. Ai ka hapur llogari dhe ka transferuar para. Unë nuk di se ku është produkti i veprës penale këtu. Ku jam informuar unë për një produkt të veprës penale dhe kam bashkëpunuar?! 

Nuk jam as drejtues banke. Llogaria është hapur në mënyrë të rregullt. Është bërë një transfertë nga një shtet i huaj, që di se është Zvicra. Ai ka transferuar para në llogari personale. Thjesht kam kërkuar nga banka që t’i hapë llogari një mikut tim, vetëm kaq, asnjë favor ndaj meje nuk ka këtu. I dhashë ndihmë një miku që e njihja prej 25 vitesh. Nuk kam lidhje me tepër. Nuk kam ndonjë miqësi të afërt e as kam bashkëpunuar ndonjëherë me atë zotërinë. Jam i shokuar. Bashkëpunëtorët e mi kanë qenë thjesht bashkëshoqërues të ekonomistit italian, që t’i hapin llogari bankare. Si mund të quhesh bashkëpunëtor i mafies, për kaq gjë?”, deklaroi Taçi.