VIDEO-KAFE SHQETO/ Goxhaj: Ky është njeriu që drejton Shqipërinë! Plan për qeveri Basha-Rama

Avokati Altin Goxhaj ka deklaruar sot se Shqipërinë nuk e drejton Rama, por një person në Amerikë që quhet Xhonas Rolet! Misteriozi Xhonas Rolet, sipas Goxhajt, është njeriu që e ka “plasur” në Departamentin Amerikan të Shtetit “Dosjen Berisha”, dosje që e kishin përgatitur Basha edhe Rama kundër liderit historik.

Po cili është “i biri” i Xhonas Rolet në Shqipëri?! Rama - mund të mendojë dikush, meqë ka treguar besnikëri ndaj Sorosit.

Por jo, tha avokati Goxhaj. Është Erion Veliaj, njeriu më i urryer në Shqipëri, sipas tij, që ka thurur një rrjetë merimange censure kundër Altin Goxhajt vetë, me qëllim që ky të mos i zbulojë të vërtetat e skenarëve politikë që po thuren në zyrat e Sorosit në SHBA.

Altin Goxhajt iu dha sot tërë hapësira e nevojshme mediatike, pa asnjë censurë, që të shprehej lirshëm në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV, për të thënë mendimet e tij personale dhe vetëm personale - lidhur me zhvillimet politike në vend, nisur nga mbajtja e një proteste “Jo Green Pass” që ai ka vendosur ta organizojë të shtunën në Tiranë.

Intervista:

Kafe Shqeto:  Avokat, cilat do të jenë mesazhet kryesore të protestës suaj dhe një koment në lidhje me ngjarjet e fundit politike kryesisht në Partinë Demokratike.

Goxhaj: Do të thosha se mesazhi kryesor i protestës sonë është “jo Green Pass”. Mesazhi i dytë është më i rëndësishëm se i pari: “Mbro fëmijën tënd”, mos e lë të shpohet. Dhe mesazhi i tretë është ai standard për t’u kujtuar të gjithë njerëzve: Jo vaksinim me detyrim. Këto janë mesazhet e para të thjeshta, kryesore, që përfshijë të gjithë spektrin e problematikës.

Unë dua vetëm të kujtoj se kësaj here kam përshtypjen se është ndryshe për shkak se kemi të bëjmë me një premtim të Edi Ramës përballë elitave globale, përballë rrjetit të Xhorxh Sorosit, përballë faktit që të enjten ai ishte tek Sorosi e të premten doli në OKB e tha do të vaksinojmë të gjithë shqiptarët! E pastaj, filluan të gjitha masat që kemi thënë për fëmijët, erdhi Boula, bënë marrëveshje, doli Manastirliu e tha zyrtarisht se nga mosha 16 -18 vjeç tani do të vaksinohen të gjithë fëmijët, ndërkohë fillojmë shtresa-shtresa përherë e më poshtë. Ata po vijnë për fëmijët tanë!

Po ta marrësh këtë që “do ta nisin po s’do ta bëjnë”, ky është mentaliteti që nuk vijnë njerëzit në protestë. Por unë jam i bindur që këtë herë është ndryshe.

Plani i vitit 2022 nuk është si i 2021-it dhe 2020-ës. Viti 2022 është i rrezikshëm kudo në botë. Ka diçka që nuk shkon me këtë botë kur shohim të gjitha lajmet gjeopolitike. Dhe këtu në Shqipëri ne shohim një konsensus të madh politik, të spektrit politik që është në raport me këtë skenar.

Ju keni parë se si Tritan Shehu del në parlament dhe bërtet e ulëret për Green Pass “të bëhet sa më shpejt”, për pasaportën e vaksinës, për vaksinim me detyrim, për  vaksinimin e fëmijëve të vegjël, vaksinim me tre doza... Këto i bën Tritan Shehu.

Ka një skenar pra, ka një skenar shumë të madh dhe unë do të doja të shfrytëzoja SYRI-n se është shumë rëndësishme që ta them këtë gjë, se njerëzit në debatin e përditshëm nuk janë në gjendje që ta kuptojnë realitetin e plotë, se ka një censurë për të mos i thënë të gjitha gjërat.

Për shembull, ju keni parë në çdo debat në darkë që flitet për çështjen Sorros, Berisha, “non grata”, Rama, Basha etj, por nuk përmendet e plotë situata se bëhet censurë ndaj atyre që janë në gjendje t’i hyjnë problemit me themel, sepse ka një mekanizëm censure të padukshëm që ndërvepron me të gjithë skemën politike. Dhe ky ka një emër: quhet Erion Veliaj.

Kjo lloj censure bëhet për të mbajtur të mbrojtur në këtë moment debati, personin që është i padukshëm, që nuk del fare në temë, por që njerëzit u habitën pse kur Evi Kokalari e përmendi si aktor ditë më parë, si gjë shumë e rëndësishme për t’u përmendur në politike që ky  është njeriu i Sorosit. Nuk është se njerëzit nuk e dinë këtu që është  njeriu i Sorosit, por kishte të bënte me ngjarjet që po ndodhin.

Ju e dini se kush e ka plasur dosjen e Sali Berishës në Departamentin e Shtetit?! Është e vërtetë që e ka përgatitur Basha dhe Rama bashkë me fondacionin Soros, por ajo që nuk e dinë njerëzit është kush e ka plasur këtë dosje.

Kafe Shqeto: Në bazë të çfarë faktesh e bën këtë akuzë, këtë informacion, ku e bazon?

Goxhaj: Është e thjeshtë, e kam dhe këtu me vete, mund t’jua tregoj me pamje.

Kafe Shqeto: Emrin nuk na e thatë fillimisht.

Goxhaj: Doja që ta tregoja me pamje se kur ke pamje, e ke më të lehtë. Unë këtu kam këtë person që quhet  Xhonas Rolet. M m m ... Ky këtu është personi që drejton Shqipërinë. Nëse do t’i referohemi se kush e drejton Shqipërinë, ne themi se drejton Rama, por...

Kafe Shqeto: Xhonas...ky më duket se është nga drejtuesit e Sorosit në mos gaboj.

Goxhaj: Ky është personi që i ka bërë emailin, Klintonit. E mbani mend emailin e famshëm të Klintonit që i bëri Sorosi, për 21 Janarin e vitit 2011, që për herë të parë dilte roli i Sorosit në Shqipëri? Unë do të doja t’ju tregoja një fotografi që e keni dhënë dhe juve, ku është Erion Veliaj me Palmerin. Në Amerikë, në Uashington. T’ua lexoj pak datën?! 18 maj.  

Dhe ky është Sali Berisha që shpallet “non grata” më 19 maj!!!

Kafe Shqeto: Na e shpjegoni pak pozitën dhe veprimtarinë e Xhonas Rollet më parë

Goxhaj: Ka punuar në Shqipëri në vitin 1997 në kohën e krizës si përfaqësues i Partisë Demokratike Amerikane, pra të Klintonit. Që nga ajo kohë është bërë këshilltar i parë i Kryetarit, formula kjo që përdoret. Mbulon Shqipërinë, Kosovën, Ballkanin pranë Fondacionit Soros prej 20 vjetësh. Është autori i themelimit të Mjaft-it, i konvertimit të Mjaftit në “G99”; është i reformës në drejtësi, është njeriu që ka bërë skakierën politike shqiptare dhe mbi të gjitha, autori i axhendës për shpopullimin e Shqipërisë pasi ky ka ndërtuar të gjithë projektin në Amerikë për këtë skemë që kemi realitet të Shqipërisë. Ky është personi që drejton Shqipërinë.

Ky është njeriu që ka themeluar Erion Velinë. Ky është krijuesi. Ky është babai “biologjik politik” po themi brenda rrjetit Soros që e ka ndërtuar Erion Velinë. Ky është njeriu që ka plasur “Dosjen Berisha” në Uashington DC. Është një lojë ku palët përplasen, palët ecin dhe pikërisht se kjo dosje ishte përgatitur për të mbajtur nën kontroll Berishën se ishte një plan për të bërë qeverinë Rama-Basha të vaksinimit të popullsisë të të gjithë shqiptarëve, edhe të foshnjave të gjirit. Është pjesë e lojës se qeverisja Basha-Rama është diçka më e gjerë.

Por, për të realizuar vaksinimin e fëmijëve shqiptarë nuk mund ta bësh dot duke pasur kundër një pjesë të madhe të popullit sepse të vrasin prindërit, nxjerrin pushkën, nxjerrin thikën, sëpatën dhe kush afrohet, shkon aty ku duhet.

Tani koncepti ku qëndron?! Ka qenë një skenar për të bërë qeverisje Basha–Rama  dhe vetë zgjedhjet e 25 Prillit kanë qenë zgjedhje që çonin pikërisht drejt kësaj logjike.

Këtë e ka kundërshtuar Berisha, e ka kundërshtuar edhe Meta dy - tre javë para zgjedhjeve, ka pasur reaksion nga Rama, është ndërtuar kjo skemë pikërisht për t’i eliminuar. Problemi është që kjo dosje do të mbahej akoma nën kontroll po plasi para se të bëhej gati sepse do të ndodhin edhe skenare të tjera që shkonin drejt plasjes së një dosjeje të tillë. Këtë e ka plasur Erion Veliaj si kundërshtar i qeverisjes Basha–Rama, sepse digjej nga kjo skemë, por ka të bëjë edhe me përplasjet që ndodhin brenda rrjetit Soros ku Xhonas Rolet (Jonas Rolett)është i shqetësuar se ka humbur të gjithë pushtetin për Shqipërinë në bazë të rolit që ka marrë Aleks Soros si një trashëgimtar i ri i mbretit, princi.

Pra, ky është këshilltari i mbretit. Princi del në lojë, e merr atë. Del jashtë loje këshilltari. Këshilltari ka Veliajn. Veliaj ndihet jashtë loje. Këto janë skenarë që kemi parë si në filma që kanë të bëjnë me mënyrën se si bëhen këto gjëra.

Po ku është problemi në Shqipëri?! Problemi në Shqipëri quhet Erion Veliaj, që në këtë moment, dje, paraqiti një sondazh si njeriu më i kuotuar, nga më të kuotuarit në Shqipëri.

Në fakt është gjithçka artificiale se është një nga njerëzit më të urryer në Shqipëri. Në çdo sondazh që bëhet online, në çdo sondazh, është fytyra më e urryer në Shqipëri. Nuk gjendet një figurë më e urryer në Shqipëri. Skema e censurës bëhet personalisht ndaj meje si Altin Goxhaj, që unë të mos tregoj atë që ndodh me Sorosin në Shqipëri, e këto dy muaj kur gjithë debati është Soros...

Kafe Shqeto: Altin, e keni mundësinë ta bëni tani...

Ndiqni deklaratat e plota të z. Goxhaj në “Kafe Shqeto” pa censurë. /ar.sh/SYRI.ET