Bledian Koka: 'Kumbari' i asaj që po ndodh sot në PD, është vetë Lulzim Basha

Gazetari Bledian Koka bën përgjegjës Lulzim Bashën për krizën që ka përfshirë Partinë Demokratike. 

Në 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv, Koka komentoi edhe deklaratën e ambasadores Yuri Kim një ditë më parë, duke shtuar se PD me Sali Berishën në krye do të vendosë raporte institucionale me ambasadën e SHBA në vendin tonë. 

"Shkaktari real i krizës, po të doni edhe kumbari i asaj që po ndodh në PD, është vetë zoti Basha. Dëgjova deklaratën kur tha për shkak të vendimit të SHBA. Vendimi i SHBA e ka bërë efektin e vet, Sali Berisha nuk do të udhëtojë për ca kohë drejt SHBA. Ça lidhje ka ky vendim i SHBA se çfarë ndodh brenda PD dhe çfarë do të diskutojë Kuvendi. Deklaratën e ambasadores dje e lexova ndryshe. Kuptova që nëse z.Berisha do të zgjidhet kryetar i PD, ai nuk do të ketë shansin që të pijë kafe me ambasadoren amerikane. Një kryetar i PD nuk duhet të jetë kryetar i PD për të pirë kafe me ambasadoren e amerikës, por të ketë raporte institucionale. Dhe raportet institucionale apo përjashtimi i raporteve institucionale mes ambasadës amerikane dhe PD me Sali Berishën në krye nuk pashë që të artikulohej aty", tha Koka.