Inter i vendos ultimatum titullarit: rinovim brenda këtij viti ose lamtumirë

Rinovimi me Marcelo Brozovic po vonon dhe Interi nuk ka ndërmend të presë gjatë. Mesfushori kroat është i rëndësishëm për trajnerin Inzaghi, teksa ndodhet në vitin e fundit të kontratës.

Kampionët e Italisë ofrojnë 4 milion euro në sezon në kontratën e re, ndërsa 28-vjeçari kërkon as më shumë dhe as më pak sesa rroga që përfiton Lautaro Martinez, pra 6 milion euro në sezon.

Mediet italiane shkruajnë se drejtuesit e klubit zikaltër ia kanë bërë të qartë lojtarit dhe agjentit: rinovojmë brenda këtij viti ose do largohesh me parametra zero.

Shitja e tij në merkaton e janarit ka rënë si opsion, pasi dyshja Marotta-Ausilio e kanë të pamundur të gjejnë një zëvendësues të denjë.

Mes palëve pritet të mbahet një takim në ditët e ardhshme, dhe tifozët shpresojnë të arrihet marrëveshja finale më në fund.

Nga ana tjetër, PSG dhe Atletico Madrid po monitorojnë me kujdes situatën dhe janë gati t’i ofrojnë parakontratë lojtarit ballkanas.

Brozovic është pjesë e Interit prej verës së vitit 2016. Sezonin e fundit ia doli të fitonte titullin kampion në Itali, teksa numëron 68 ndeshje dhe 7 gola me kombëtaren kroate.