'Nuk ka opsion mosmbledhje të Kuvendit! Vendos vetë anëtarësia'

Nga Ylli Manjani

Për të sqaruar të gjithë recitimet me statut dhe dërrdërrllëqet e rastit, në faqen zyrtare të internetit PD.AL, gjendet statuti i partisë.  Kush ka dëshirë të sqarohet dhe të kuptojë se kush e ka shkelur kolegjialitetin dhe hierarkinë në vendimmarrje duhe ta ta lexojë këtë statut që në nenet e para.

Unë përzgjodha të ndaj këtu vetëm nenin 43. Nenin që flet për Kuvendin Kombëtar, si organin suprem më të lartë vendimmarrës.

Në paragrafin 2, flitet për mënyrën e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të thirrjes së tij. Zakonisht mblidhet çdo katër vjet. Jashtëzakonisht mblidhet kur ka nevojë. E mbledhin forumet ose vetë anëtarët e tij (1/4 pra). Nuk ka opsion mosmbledhje!!!

Lexojeni dhe dërrdërrllëqet shpjegohen shumë thjeshtë.

Ky është ligji suprem që demokratët kanë vendosur të vetërregullojnë bashkëjetesën e tyre vullnetare në atë parti. Nuk ka ligj tjetër që vepron!

Ky ligj nuk zbatohet me polic, por vetëm nga vullneti i anëtarësisë aty.

Tani është koha e tyre (anëtarëve të Kuvendit pra).
————————————————-
KREU V
ORGANET QENDRORE TË PARTISË
Seksioni 1
Organet vendimmarrëse qendrore të PDSH-së
Neni 43
Kuvendi Kombëtar i Partisë
1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga:
a) Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e grupseksioneve të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës;
c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
ç) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
d) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
dh) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH-së;
e) koordinatorët tematikë apo koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike, si dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike;
ë) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.
2. Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.
3. Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për:
a) miratimin e Statutit të PDSH dhe ndryshimin e tij;
b) miratimin e programit të Partisë dhe linjave kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;
c) zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;
ç) shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar;
d) zgjedhjen e Kryetarëve të Nderit të PDSH, të cilët janë anëtarë me të drejtë vote në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën;
dh) shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;
4. Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij, përveç rasteve kur ky Statut përcakton ndryshe, e kanë Kryetari i Partisë, Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH-së, ose jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë Degë të PDSH-së.