‘Foltorja’, goditje në thembrën e Akilit

Si çdo kush, edhe unë kam ndjekur me interes që nga fillimi iniciativën brilante të Doktor Berishës të bashkëbisedimit me popullin në ‘Foltore’, dhe çuditërisht nga çdo ‘Foltore’ mezi prisja ‘Foltoren’ e radhës! Unë nuk jam anetar i asnjë partie sot, dhe mirë kam bërë, sepse para disa vitesh u rreshtova me një partiçkë për hatër të dikujt, dhe aty pashë kuzhinën që gatuhej!

Por të kthehemi tek ‘Foltorja’!

Pse më tërhoqi?

Me ndodhi vetëm mua apo dhe të tjerëve?

Këtë nuk mund ta them me siguri!

Interesante dhe shumë e goditur është fjala ‘Foltore’, një fjalë vërtetë gjithëpërfshirëse!

Por dhe brendia e çdo ‘Foltoreje’ ishte akoma dhe më interesante, sepse aty pashë që flisnin njerëz të lirë, pa pengesa, ashtu siç e mendonin!

Dhe përballë një politikani 77-vjeçar plot eksperiencë dhe dinjitet më i fortë së kurrë, i vëmendshëm për çdo folës mbante shënime si gjithmonë!

Dhe përvoja dhe eksperienca e tij di t'i trajtojë problemet dhe hallet e popullit!

Kishim kohë që nuk kishim parë e biseduar Kuvende kaq të vërteta dhe kaq masive, aq sa më dukej vetja sikur isha në vitin 1990!

Vitet e fundit i kemi ndjekur kuvendet nëpërmjet mjeteve të propagandës që sot çdo pushtet i shfrytëzon e që quhen Tv, apo portalet (porta nga shperndahet propaganda), ku kuzhina politike përgatit llapaqenët për të mbjellë në popull opinione dhe vetëm opinione, por jo fakte dhe të vërtetat!

‘Foltorja’ na solli ndjesinë e të prekurit të problemit për së gjalli, me fjalë të pakta, të thjeshta, ashtu popullorçe por të vërteta! Pamë folës me vetëdije të plotë që analizuan situatën se çfarë ka ndodhur realisht në jetën e një populli!

Pra ‘Foltorja’ dhe Doktor Berisha vrau frikën e popullit, nxiti guximin, grisi maskën e politikë-qelburve që futen në politikë për një rrogë e mandej për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit që vetëm hajdutët dinë ta bëjnë duke vjedhur gjakun e një populli!

Mendoj që ‘Foltorja’ solli një risi, një kthesë të fortë për këdo që e ka dëgjuar dhe ndjekur!

E thashë më lart që jam pa parti, por një Opozitë e dobët nuk i hyn në punë as dreqit dhe çon automatikisht vendin në një diktaturë të re!

‘Foltorja’ sa ka zgjuar guximin e një populli të viktimizuar, të pafajshëm e të zhgënjyer për t'i thënë ndal sjelljes toksike të pushtetit korruptiv dhe të rinisjes së saj edhe njëherë nga fillimi!

Të pranosh gabimet është e vështirë, por të guxosh të promovosh vlerat edhe njëherë është meritë! Kjo është të duash të ndryshosh jetën e një populli nga llapaqenët që me opinionet e tyre thonë është e pamundur! Çdo rënie ka një ngritje, por kërkon guxim, guximin e rinisë me kulturë qytetare! Ankthi dhe frika kërkojnë përballje nga ku më pas vjen një jetë më e mirë!

Pra, të bashkohemi edhe njëherë si në 90- ën, të ngrihemi së bashku e të jemi vërtetë vetvetja! Jeta na ka mësuar dhe na ka dhënë aftësi të bëjmë zgjedhje të mençura e të kujdesshme për veten tonë!

Partia pushtet ka shteruar, nuk jep më, vetëm merr pafund nga neve, duke rritur taksat dhe pakësuar të ardhurat e popullit!

Dëgjojmë manipulime opinionesh çdo ditë, por fjalën e vërtetë e thote komuniteti!

Pra, ‘Foltorja’ na zgjoi, tani duhet të guxojmë, nuk jeni vetëm! Asnjë njeri nuk është më i fortë se një grupim! Të mos frikësohemi, mos të dorëzohemi, të mos dëgjojmë opinione dhe propagandë, por të analizojmë, të propozojmë, organizojmë e të veprojmë dhe do ta kuptojmë se në fakt frikë kanë ata që kanë faj!

Mbajtja e pushtetit me metoda komuniste nëpërmjet patronazhistëve të matrikulluar me numër apo pseudonim kërkon një përballje dhe organizim edhe më të fortë kundër tyre, që tani nga Opozita!

Ajo që duhet tani në çdo njësi e fshat janë:

VETËDIJE e plotë për të kuptuar situatën, HORIZONT për të parë të gjithë tabllonë, UNITET për të krijuar grupe të organizuara, GUXIM për të folur të vërtetën, ORGANIZIM për të manaxhuar aktivitetet, EKSPERT për të kombinuar veprimet, VETËKONTROLL për të marrë vendimet e duhura, PËRGATITJE për aktivitete në grupë, ZGJUARËSI për të qenë më shumë aktiv, ANALIZË për të thënë vërtetën hapur, dhe ZGJEDHJEN më të mirë që do dëshironim!

Partia-shtet ka filluar punën për zgjedhjet e ardhshme, militantët i ka nëpër zyra të paguar nga taksat tona!

Atëherë të fillojmë dhe neve tani, jemi në kohë për t'u organizuar, për të fituar dhe ndryshuar jetën e gjithë popullit!