Këlliçi rrëzon Bashën: Do ngremë vetë një grup pune për zgjedhjet në FRPD

Belind Këlliçi deklaroi se sipas kreut të PD-së mandati i mbaroi ditën që shkoi në Foltoren e Berishës.

Kreu i FRPD sqaroi në Euronews Albania se pavarësisht se mandati i ka mbaruar në vitin 2019 ka rënë dakord me Bashën për të vijuar detyrën sepse fokusi i partisë ishte te fushata elektorale.

Këlliçi: Nuk bëhet me njoftim në Facebook kjo punë. Partia ka institucione, me një akt, vjen një shkresë, një kërkesë zyrtare e kryetarit të partisë që na njofton ose na kërkon që ne të çelim procesin zgjedhor dhe nuk jemi kundër.

Ndërsa theksoi se dorëheqjen e tij do e dorëzojë shumë shpejt, nënvizoi se nuk do të lejojë që procesi i ri të mos jetë model dhe i organizuar nga vetë grupi rinor.

Këlliçi: Sot që ne flasim është një vendim individual, i padiskutuar në kryesinë e Partisë Demokratike dhe brenda grupit të punës nuk është as kryetari i Forumit që për fat të mirë jam gjallë, as Sekretari i Përgjithshëm i Forumit që për fat të mirë është gjallë, kështu që ne këtë nuk e pranojmë. Unë personalisht nuk e pranoj.

Deputeti Këllici sqaroi se beteja e tij nuk po bëhet për ambicie personale. Sipas tij i duhet hapur rrugë një riciklimi elitash dhe një brezi të ri, por në pavarësinë e plotë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.