Arrestimi i zyrtarëve të Urbanistikës në Vlorë, reagon policia

Policia e Vlorës ka dhënë informacion më të detajuar për tre arrestime, sa i përket një rasti abuzimi me lejet e ndërtimit.

Bëhet fjalë për dy punonjës të Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, përkatësisht Rubin Hekurani dhe Klaudio Mehmeti. Këta të fundit akuzohen për “shpërdorim të detyrës”.

Personi i tretë i arrestuar është një qytetar me inicialet N.K., 53 vjeç, banues në Vlorë, i cili akuzohet për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Njoftimi i policisë:

DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 09.11.2021, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit:

-R. H., 33 vjeç dhe K. M., 32 vjeç, të dy banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë zyrës së Urbanistikës, Bashkia Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-N. K., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Dy punonjësit e urbanistikës dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke i miratuar një leje ndërtimi shtetasit N. K., i cili më pas e ka tejkaluar atë, duke ndërtuar një kat shtesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.