VIDEO/ Furnizonin me drogë Maqedoninë, tre persona në pranga

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi akuzohen për trafik të lëndëve narkotike në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Policia bën me dije se të ndaluarit janë shtetasit me iniciale G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë.

Ndalimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar Rrajca ku gjithashtu është sekuestruar 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale  në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrajca 2021”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Stacionit Policor Prrenjas.

Sekuestrohen 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga 3 shtetasit që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po tentonin të trafikonin një sasi lënde narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër, për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit Policor Prrenjas, operacionin policor të koduar “Rrajca 2021”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

G.Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë.

Në kuadër të këtij operacioni policor, në fshatin Rrajcë-Sutaj, bashkia Prrenjas, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit me drejtues shtetasin G. Xh. dhe pasagjerë shtetasit E. V. dhe E. P.

Gjatë kontrollit të këtij automjeti, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 11 kilogramë e 500 gramë, e destinuar për t’u trafikuar në Maqedoninë e Veriut.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe automjeti, si dhe 3 aparate celulare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve“, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.