Franca tregon forcën, dërgon anije luftarake në lindje të Mesdheut

Franca shfaqi forcën e saj ushtarake të hënën me një tur të fregatës së saj të re Auvergne në lindje të Mesdheut dhe sipas kapitenit të anijes, do të theksojë rëndësinë që Parisi i kushton garantimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Kapiteni Paul Merveilleux de Vignaux tha se Auvergne me ekuipazhin e saj prej 150 trupash do të vendoset në lindje të Mesdheut deri në janar për të mbledhur informacione në mënyrë që të "tregojë se si respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht liria e lundrimit ka rëndësi" për Francën.

"Kjo vendosje nënvizon se sa të rëndësishme e konsideron Franca këtë pjesë të detit Mesdhe", si dhe "gatishmërinë e vendit për të kontribuar në stabilizimin e kësaj zone strategjike," u tha De Vignaux gazetarëve në portin qipriot të Larnaka.

Auvergne është vënë në punë tre vjet më parë. Ka pajisje të avancuara sonare dhe është e specializuar në luftën kundër nëndetëseve.

De Vignaux tha se kjo është hera e 12-të që Auvergne viziton Qipron, të cilën ai e quajti si çelës për mbështetjen e operacioneve detare franceze në rajon.

"Nuk mund të ketë operacione detare efikase dhe të qëndrueshme pa mbështetje dhe Qiproja është pjesa qendrore e saj," tha De Vignaux.

Udhëtime të përsëritura në Qipro ka bërë edhe aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle.

Marrëdhëniet midis Qipros dhe Francës janë bërë më të ngushta vitet e fundit. Qiproja gjithashtu lejon avionët francezë të përdorin bazën e saj ajrore ushtarake në cepin juglindor të kombit ishullor dhe lejon anijet franceze të përdorin portin e saj detar jugor, i cili tani po i nënshtrohet një rikonstruksioni.