U tha se është lobist i Vuçiç/ Hidhen poshtë me prova akuzat nga Beogradi për Richard Grenell

Analisti politik serb dhe njëkohësisht Kryetari i Bordit të Forumit për Marrëdhënie Etnike Dushan Janjiç ka deklaruar në emisionin “Different Radio Connection” se Serbia i paguan Richard Grenell 100 mijë dollarë në muaj.

Grenell, diplomat dhe ish-i dërguar i Trump për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës sipas tij përfaqëson hapur interesat e Serbisë kudo që e gjen veten.

“Ne i paguajmë Grenellit edhe 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, tha ai.

Mirëpo nga një 'check facts', asnjë listë e FARA (Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj) nuk e përmend Richard Grenelin si lobist të regjistruar. 

Duke klikuar emrin e Grenell në website nuk rezulton asnjë e dhënë për të që të ketë lobuar për një politikan apo shtet. Kushdo që ka nënshkruar një kontratë lobimi, emri i tij mbetet në “Fara Act” në DoJ, madje edhe në rastet kur shumat e lobimit janë mjaft modeste. 

Mjafton të klikoni saktë emrin e personit dhe më pas në website-n e departamentit të drejtësisë së SHBA do t'ju shpaloset e gjithë pasqyra e veprimtarisë në fushën e lobimeve.