VIDEO/ Abuzim me Programin e Rindërtimit, Ahmetaj shpërfill KLSH për tenderin

Përfshirja në programin  e rindërtimit  të Qendrës së Automjeteve të Ministrisë së Brendshme është parë si abuzive nga ana e KLSH. Institucioni në fjalë  ka qenë i dëmtuar që përpara tërmetit të 26 nëntorit por është rikonstruktuar me paratë që duhet të jepeshin për të pastrehët. Komiteti i drejtuar nga Zv/kryeministri Ahmetaj, ishte në dijeni të shkeljes, por nuk veproi.

NGA SYRI TV.

Arben Ahmetaj nuk ka reflektuar aspak mbi gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstatoi shkelje në procedurat për përfshirjen abuziv në programin e Rindërtimit të ndërtimit të Qendrës së Automjeteve të Ministrisë së Brendshme, me vlerë 2.2 milionë euro. 

KLSH konstatoi se godina e Qendrës së Automjeteve, e njohur edhe si QSHAMT ishte amortizuar para tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ajo nuk mund të përfshihej në procedurat e kufizuara të Rindërtimit.

Pas tërmetit të dy viteve më parë, Këshilli i Ministrave miratoi akte normative të posaçme, në të cilat lejonte procedura të kufizuara, pa garë të hapur dhe pa të drejtë ankimi, nën argumentin e emergjencës.

Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi në tetor të vitit 2021 se, të paktën dy procedura të miratuara nga Komiteti i Rindërtimit, ku njëra prej të cilave ishte rikonstruksioni i Qendrës së Mjeteve të Ministrisë së Brendshme, është përfshirë në mënyrë abuzive në procedurat e tenderave të mbyllur.

Megjithëse konstatimi i audituesve ishte i rëndë dhe ngrinte hije dyshimi mbi vendimmarrjen e Komitetit të drejtuar nga Arben Ahmetaj, asgjë nuk ndryshoi. Përkundrazi, në 4 nëntor 2021, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shpallur procedurën “Ndërtim/Rikonstruksion i objekteve të Q.SH.A.M.T-së”, Mullet, Tiranë, në kuadër të procesit të rindërtimit”, me fond limit 258 milionë lekë të reja pa TVSH.

Në bazë të dokumenteve zyrtarë, rezulton se realizimi i këtij tenderi do të kryhet me “Procedurë e Kufizuar(në kuadër të procesit të rindërtimit)”.

Në këtë mënyrë, institucionet kanë injoruar gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. 

Në raportin e dorëzuar rreth një muaj më parë, KLSH konstatoi se objekti i QSHAMT ishte konstatuar i papërshtatshëm dhe se kishte nevojë për ndërhyrje emergjente përpara se të ndodhte tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në praktikën e shqyrtuar nga auditët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjendet një shkresë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ku referohet se një grup pune i ngritur në 12 nëntor 2019, pra rreth tre javë para tërmetit, kishte konstatuar se “ndërtesa ishte jo e përshtatshme për funksionim, si edhe tepër e amortizuar, pasi është përdorur prej vitesh...”.

Megjithëse dokumentet zyrtarë flasin ndryshe, Komiteti i Rindërtimit i drejtuar nga Arben Ahmetaj, ka vendosur të mos tërhiqet nga procedura e miratuar më herët, duke e përfshirë tenderin me vlerë 2.2 milionë euro në procedura të kufizuara dhe pa garë të hapur.