Zgjedhjet në FRPD, Basha sulmon Belind Këlliçin: Sajesa për interesa personale

Kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u përpoq ta justifikojë vendimin e tij hakmarrës për  shpalljen e zgjedhjeve të organeve të FRPD, pavarësisht  se statuti i PD nuk ia njeh këtë kompetencë. Basha sulmoi  kreun e FRPD, Belind Këlliçin dhe u mundua të largojë vëmendjen nga kriza në PD përmes një tjetër nisme ligjore. 

Nga SYRI TV.

Kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është përpjekur që ta justikojë vendimin e tij hakmarrës ndaj të rinjve të PD, duke thënë se po respekton procedurat e ndjekura për zgjedhjet e organeve të reja të FRPD. Por ai ka shmangur përgjigjen  e drejtpërdrejtë ndaj pyetjeve të gazetarëve nëse ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, duke marrë në konsideratë, faktin që FRPD është një organizatë  partnere e PD dhe zgjedhjet nuk mund të shpallen nga kryedemokrati. 

Më tej  Lulzim Basha ka sulmuar  kreun e Forumit Rinor,  deputetin Belind Këlliçi, i cili  një ditë  më parë e quajti Nul, vendimin e  Bashës dhe e lidhte me  përkrahjen që të rinjtë demokratë  po i japin Foltores së ish- kryeministrit Sali Berisha. 

Për të larguar vëmendjen, nga zhvillimet dramatike dhe kriza e thellë që ka përfshirë  forcën kryesore të opozitës, Lulzim Basha ka ndjekur  traditën e javëve të fundit , duke paralajmëruar një tjetër nismë ligjore të PD,  me propozime në ligjin anti-mafia, kundër oligarkisë. 

I pyetur nëse Partia Demokratike është gati për zgjedhje të pjesshme lokale, Lulzim Basha tha se duhet të pritet vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse  Kushtetuesja i la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit,  të cilat u bojkotuan nga opozita.