VIDEO/ Vendimi hakmarrës i Bashës ndaj FRPD, reagojnë deputetët: PD nuk ka nevojë për arbitraritet

Deputetë të Partisë Demokratike e kanë cilësuar  si një vendim  anti-statutor,  shpalljen e zgjedhjeve  të FRPD-së nga kryetari i PD, Lulzim Basha.  Deputeti Tritan Shehu e konsideroi  vendimin si një  arsye më shumë që Kuvendi i PD,  të mblidhet sa më parë, ndërsa deputetja Albana Vokshi  deklaroi se inati  nuk mund të prevalojë ndaj statutit. 

Nga SYRI TV.

Vendimi hakmarrës i kryetarit aktual të Partisë Demokratike,  Lulzim Basha, i cili  vendosi  shpalljen e  zgjedhjeve në Forumin Rinor të demokratëve, ka zgjuar reagimin e  disa deputetëve demokratë.

Përmes një reagimi në Facebook,  deputeti Tritan Shehu deklaroi se ky vendim është një arsye më shumë  për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Shehu  thekson  se zhvillimet e fundit në PD tregojnë nevojën urgjente për riformulimin e statutit të partisë. 

Shehu: “Ndërhyrja e pabazuar në statut dhe larg autonomisë demokratike të organizatave tona partnere, në rastin konkret ndaj FRPD, është një mesazh tjetër i qartë e urgjent për t’u mbledhur në Kuvend dhe evidentuar, sanksionuar, formuluar nga e para nëse duhet, rregullat kolegjiale të bashkëjetesës sonë. Unë si një nga themeluesit e PD, ish-Kryetar, deputet, si një anëtar i saj, e gjykoj të domosdoshëm këtë dhe e pres me optimizëm 11 Dhjetorin.”

Edhe  deputetja Albana Vokshi komentoi vendimin anti-statutor të Bashës për të shpallur zgjedhjet në FRPD, duke theksuar se kjo është një kompetencë e Forumit dhe jo e kryetarit të Partisë.

Vokshi: “Partia Demokratike ka nevojë për demokraci, jo arbitraritet! Organizatat partnere të Partisë Demokratike, LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të statutit të tyre. Askush, as Kryetari i PD, nuk iu merr dot vendimmarrjen.Veçanërisht në situata  debati apo përplasjesh të brendshme, inati,  hakmarrja, intrigat nuk duhet të  prevalojnë ndaj statutit.”

Vokshi  e përmbyll reagimin e saj,  duke thënë se pas 31 vjetësh, çdo demokrat është në mision, për t’u bashkuar për të ringritur partinë nëpërmjet fuqizimit të anëtarësisë, forcimit të demokracisë të brendshme, dhe mendimit të lirë.