‘Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit’, Haradinaj ngre alarmin: Degradim i raporteve me SHBA

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Kurti pas ‘mos-ftesës së Kosovës në Samitin e Uashingtonit’.

Haradinaj e ka quajur ‘sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me SHBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit’.

‘Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë’, shkruan Haradinaj në Facebook.

Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:

Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.

Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush.

Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur.

Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon.

Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik.

Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë.

RH