Xhunga e një manipulimi me padinë e Berishës në Francë

Nga Salvador Doda*

Lexova "dokumentin" që një farë Albi Xhunga solli përpara shqiptarëve, si "provë" të "mashtrimit" të Doktor Berishës. lidhur me padinë për shpifje e këtij të fundit kundër Tony Blinken-it, si dhe shpurën e portaleve pa porta e dritare, që e përcollën me shpejti dhe orgazmim. 

Nga njëra anë më kapi një e qeshur, jo sepse - edhe kështu siç e serviri Xhunga - ky "dokument" tregon se Doktori nuk e lajmëroi padinë për show, siç bëri PD e Lulzim Bashës në rastin e akuzave të Evi Kokolarit, por sepse më kujtoi trajtesën që i bën Hegel-i tek Fenomenologjia e Mendjes vërtetshmërisë së të shkruarës, teksa merr shprehjen "tani është natë", e cila është e vërtetë në këtë "tani", por e pavërtetë në një "tani" tjetër, të nesërmen në mëngjes, p.sh.

Nga ana tjetër, më kapi një ndjenjë keqardhjeje për shqiptarët, pasi Xhunga dhe kushdo që qëndron pas tij, i shohin si trutrashë dhe lehtësisht të manipulueshëm.

Siç vërehet nga fotoja, në vend të datës, kemi "aujourd'hui", "sot", dhe kjo "sot" mund t'i referohet çdo date, prej nga lind nevoja për të thënë "sot, më datë...".

Në rastin konkret, "sot" mund të jetë edhe përpara ditës kur Doktor Berisha bëri pohimin në Kavajë (22.10.2021), ndërsa "sot", më datë 4.11.2021 gjërat mund të jenë siç pohoi Doktori, ndonëse kjo nuk ka shumë rëndësi (edhe pse informacionet që mora këtu në Paris. përputhen me pohimin e Doktorit), jo sepse në një proces, rëndësi ka vendimi, jo hallkat e tij (kjo është çfarë e shqetëson Tony Blinken-in), por sepse regjistrimi në vetvete i padisë më 28.06.2021 është domethënës, siç është domethënës në rastin e Davidit guximi për t'u përballur me Goliatin në emër të drejtësisë dhe dinjitetit, dhe jo fitorja që arriti duke përdorur si armë thjesht një guralec.

Sidoqoftë, pyeta është e thjeshtë: cilës datë i referohet "aujourd'hui", "sot", në "dokumentin" e sjellë nga Albi Xhunga? Më mirë se kushdo, vetëm ai mund të na e tregojë.

*Profesor i filozofisë, studiues dhe përkthyes