Arrestimi: Tre shqiptarët me 1 milion euro kokainë deklaruan se po shkonin në Shqipëri

Verona - Tre shtetas shqiptarë të moshës 30 deri në 40 vjeç, me banim në Shqipwri, janë arrestuar në hyrje të liqenit të Gardës.

Guardia di Finanza e Veronës arrestoi tre autorët me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia sekuestroi mbi 11 kilogramë kokainë të pastër, të paketuar në dhjetë pako me peshë mbi një kilogram secila.

Të tre u ndaluan nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare e Veronës pasi ushtarët e Guardia di Finanza i kishin pikasur në dy makina të fuqishme përgjatë autostradës A22, midis Alas dhe Affi.

Dy makinat, me cilindra të mëdhenj dhe me targa gjermane, po udhëtonin për në jug krah njëra-tjetrës: policët që dyshuan, vunë re se si, duke mbërritur në kryqëzimin e Affi, njëra nga dy makinat mori korsinë e daljes, ndërsa tjetra vazhdoi në drejtim të Modenës.

Falë bashkëpunimit të policisë rrugore të Veronës, ata arritën të ndalonin të dy automjetet.

Dhjetë “bukë” kokaine 1 milion euro

Duke parë policinë, dy personat që ishin në makinën e parë u nervozuan dhe deklaruan se po vinin nga Gjermania dhe ishin nisur për në Bari, për të shkuar më pas në Shqipëri.

Shoferi i makinës tjetër deklaroi gjithashtu se nuk i njihte pasagjerët e makinës tjetër dhe se ishte nisur për në Ankona, nga ku do të nisej për në Shqipëri.

Gjatë kontrollit, ushtarakët gjetën dhjetë blloqe kokaine të pastër, me vlerë mbi një milion euro, të fshehura brenda një fundi të dyfishtë në bagazh.

Kështu të tre u arrestuan për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe u dërguan në burgun e Veronës në dispozicion të autoritetit gjyqësor, i cili në orët e fundit vërtetoi arrestimin e tyre.