E shpallën të vdekur në rrjetet sociale, Erdogan padit personat që shpërndanë lajmin

Një lajm i rremë u bë kryesor dhe qarkulloi shpesh në rrjetet sociale turke ku thoshte se presidenti Erdogan është ndarë nga jeta. Kanë qenë disa video që kanë dalë ku tregojnë presidentin Erdogan që ka vështirësi në të ecur dhe lajme të paverifikuara se ai vuan nga një sëmundje e rëndë, që i kanë dhënë shtysë këtyre lajmeve të rreme.

Zyrtarët turq njoftojnë se janë ndërmarrë veprime ligjore kundrejt 30 personave që dyshohet se kanë bërë të mundur këtë operacion dezinformimi në rrjetet sociale për shëndetin e presidentit Erdogan.

Në Turqi ka një rritje të spekulimeve për shëndetin e presidentit 67 vjeçar. Së fundmi, ka qenë mospjesëmarrja e presidentit Erdogan në një ceremoni të partisë së tij në pushtet, e cila të mërkurën festoi 19 vjetorin e ardhjes së saj në pushtet, që ka shtyrë qytetarët të përhapin lajme në rrjet për ndarjen nga jeta të presidentit.

Spekulimet u shtuan së tepërmi pas qarkullimit të një videoje ku shihet Erdogani duke ecur me vështirësi pasi uroi për Ditën e Republikës në pallatin e tij presidencial më 29 tetor.

Disa përdorues të medieve sociale pretenduan se Erdogani kishte vdekur dhe shkruan në hashtagun "ölmüş" (vdiq), por pa një referencë të hapur ndaj Erdoganit.

Presidenti Erdogan daljen e fundit në public e pati këtë fundjavë, kur u takua me presidentin amerikan Joe Biden në Romë, në samitin e G20-ës, njoftojnë mediet turke. Më pas ai anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në konferencën e klimës në Glasgow, duke sjellë në vëmendje mosmarrëveshjet mbi protokollet e sigurisë.

Muajin e kaluar, zyra e komunikimit pranë presidencës publikoi një video që tregon Erdoganin duke luajtur basketboll për të mohuar thashethemet se ai mund të jetë i sëmurë. Ligjvënësi opozitar turk Aykut Erdogdu shkroi në Twitter: “E kam kaluar jetën time politike duke luftuar kundër Erdoganit. Shpresa ime e vetme është që Erdogani të jetë në formë dhe mirë me shëndet në zgjedhjet e ardhshme dhe t'i japë llogari qytetarëve në kutitë e votimit. 

Presidenti Erdogan iu nënshtrua një operacioni të gjatë në stomak në vitin 2012.