Zaev iku, por Rama edhe i vetëm me Vuçic, nuk tërhiqet për ‘Open Ballkan’: Do shkoj në Beograd!

Pavarësisht nga dilema që presidenti i Serbisë shfaqi ditën e djeshme për bërjen apo anulimin e takimit në kuadër të “Open Ballkan” në Beograd, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se do të jetë nesër i pranishëm në kryeqytetin e Serbisë, në datat 3 dhe 4 nëntor.

Lajmin e ka konfirmuar zyra e kryeministrit për “Euronews Albania”. Pas interesimit zyra e kryeministrit ka deklaruar, se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin e nesërm, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Pritet që në takimin e nesërm të jetë i pranishëm në Beograd, edhe një përfaqësues i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pas një postimi në Facebook. 

“A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”, shkroi ai duke e shoqëruar me një fotografi nga takimi që pati me Ramën në samitin e klimës në Glasgou, Skoci.

‘Open Balkan’ është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen. Në fund të muajit korrik liderët, Rama, Zaev dhe Vuçiç firmosën 3 marrëveshje:

Memorandumin e Mirëkuptimit për Lehtësimin e Importit, Eksportit dhe Lëvizjes së Mallrave në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshjen Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumin për lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.